Rrugët e kryeqytetit të lëna pas dore, drejtuesit e makinave: Është një turp!

Thuajse në çdo segment rrugor në kryeqytet drejtuesit e automjeteve hasen me infrastrukturë të dëmtuar.

Punimet e lëna përgjysmë apo dhe punimet pa cilësi kanë sjellë shqetësime për shoferët dhe jo vetëm.

Në një prej kryqëzimeve që të dërgon pranë qendrës spitalore "Nënë Tereza" drejtuesit e mjeteve kanë shprehur pakënaqësi për rrugën dhe pengesat që hasin në të.

Ata tregojnë se i paguajnë të gjitha detyrimet, por shteti i lë me këtë infrastrukturë.

"Timoni është problem sepse të ikën majtas-djathtas dhe është rrezik për njerëzit, makinën për gjithçka," thotë shoferi.

"Jashtëzakonisht, unë jam në vendin tim, shiko si më rrëqethet shpirti. Është një turp, gjithë këto siguracione që i paguajmë, ku shkojnë paratë? Mund të mirëmbahet, çfarë të them unë, flet vetë fakti," thotë shoferi.

"Çfarë është normale këtu, shikon ndonjë gjë normale ti këtu? Një kaos është çdo gjë," thotë një tjetër.

Një rrugë tjetër problematike është edhe rruga "Dine Hoxha" në kryeqytet. Gropat e shumta dhe amortizimi i rrugës ka sjellë herë pas here dëmtim të mjeteve.

Manovrat që duhet të bëjnë për kalimin e rrugës që është në këtë gjendje mund të bëhen shkak për aksidente.

Për këto arsye ndërhyrja e autoriteteve në rehabilitimin e infrastrukturës duhet të jetë prioriteti i qeverisë thonë shoferët