Shalqini kalbet në ara/ Fermerët ankohen për shitjet, konsumatorët për çmimin e perimeve
Në Frakull të Fierit shalqiri po kalbet në ara.
Azem Zane nga fshati Adi i rikthyer nga Greqia për të punuar në tokën e tij, thotë se këtë vit kishte mbjellë rreth 20 dynym tokë.
Shpenzimet i shkuan në rreth 11 milion lek, por rreth 200 tonë prodhim nuk e ka vjelë.
Sipas tij shkak është bërë, çmimi i ulët, mungesa e tregut dhe prishja e kontratave për eksport në Kosovë çka e ka çuar në dështim.
"10 dynym nuk i kam zënë me dorë fare. Dëmi vete diku të 7 milion lekë vetëm për shalqinin," th ai.
Të njëjtin shqetësim kanë edhe fermerë të tjerë në zonë, që thonë se nuk kanë shitur asnjë kokërr shalqin.
"Qeveri nuk kemi për arsye sepse nuk ka agronomi, nuk ka agronomi eksporti, agro-eksport," thotë fermeri.
Por ndërsa në fshatra, një pjesë e prodhimit po kalbet në ara, në qytete çmimet e perimeve dhe frutave të stinës konsiderohen të larta nga konsumatorët.
Nëse fermerët në këtë kohë janë të gëzuar nëse shesin me 30 apo 40 lek për kilogram, në qytete si Elbasani çmimi shkon deri në 10 fish.
Për qytetarët kjo rritje e çmimit në kulmin e sezonit është e pakuptueshme.
"Unë nuk di se çfarë loje po ndodh midis prodhuesit për fat të keq që po ja marrin falas fare, por në tërësi dëshiroj të them që mungon leku," thotë një qytetar.
Pensionistët dhe qytetarët me të ardhura të ulëta janë ata që e ndjejnë më shumë.
"Papunësi e madhe, çmimet po shkojnë sipas qejfit të vet, kontroll s'ka," thotë qytetari.
INSTAT konfirmoi ditë më parë një rritje të çmimit të produkteve ushqimore deri në 40 lek për kilogram, ndërsa qendra e Mbrojtjes së Konsumatorit e konsideroi të pajustifikueshme.
