Ndreka: Qeveri shkel ligjin, zonat e mbrojtura po i kalohen privatit, bashkitë nuk janë në dijeni

Në një intervistë për Ora News, juristja Dorina Ndreka u shpreh se janë 44 projektvendime të këshillit të ministrave të cilat synojnë një ndryshim tërësor të zonave të mbrojta në vendin tonë.

Ajo tha se Ka projekte që kanë përfunduar në zonat e mbrojtura, ku për shkak keqmenaxhimit shtetëror, janë realizuar projekte në kundërshtim me ligjin.

Ndreka: Janë 44 projektvendime të këshillit të ministrave të cilat synojnë një ndryshim tërësor të zonave të mbrojta në vendin tonë. Është një proces shumë i madh, ndoshta më i madhi mjedisor që ka ndodhur në vendin tonë për 30 vitesh, duke ndryshuar sipërfaqe dhe kategori. Në një reagim publik nga shumë organizata lidhur me këtë çështje. Është konstatuar se ky proces është në kundërshtim me ligjin. Ka projekte që kanë përfunduar në zonat e mbrojtura, ku për shkak keqmenaxhimit shtetëror, janë realizuar projekte në kundërshtim me ligjin.

Kjo mos kompetencë ka bërë që këto zona t'i kalojnë privatit sepse nuk mund të menaxhohen. Sipas tyre është më me pak kosto që të hiqen nga zonat e mbrojtura këto zona, sesa tu rikthehet menaxhimi. Sigurisht që ka zona të mbrojtura si ajo e Nartës, për të cilin ka një VKM për një projekt pa u hequr nga zonat e mbrojtura, që është një shkelje flagrante. Nuk mund të realizohen ndryshimet e 44 zonave mjedisore në një proces të vetëm. Vetëm konsultimi publik për këto projekte që kërkon 30 ditë afat vetëm për njërin është i pamundur, jo më të bëhen një procedurë kaq të shkurtër dhe të shpejtë. Ne nuk janë dhënë relacione pse po ndodhin këto ndryshime.

Ndreka shtoi se bashkitë në këto zona nuk janë në dijeni për këto projekte e ndryshime dhe se nevojitet vlerësimi i specialistëve.

Ndreka: Ndërkohë bashkitë në këto zona nuk janë në dijeni për këto projekte dhe ndryshime. Sigurisht që nisma të tilla janë në shkelje të ligjit totalisht. E para nuk ka një plan specifik për zonat e mbrojtura. Ka një studim të shkurtër, rreth 400 faqe, për 44 zona të mbrojtura, ku i bie më pak se 10 faqe për zona. Si mund të vlerësohet një zonë mjedisore, me gjithë specifikat që ka dhe se si do të ndryshohet në më pak se 10 faqe?! Secila prej zonave ka specifika te veta dhe duhen specialistë të ekosistemit, sepse nuk mund të bëhet në mënyrë tërësore. Të gjithë ekspertët janë në një qëndrim lidhur me këto projektligje.