Çako: Situata me zjarret në kontroll të plotë, policia po heton nëse janë të qëllimshme

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako në një deklaratë për medien lidhur me situatën e zjarreve në vendin tonë u shpreh se situata është nën kontroll të plotë pothuajse në të gjithë vendin. Sipas tij, vatrat aktive të zjarrit nuk rrezikojnë jetë njerëzish apo vendbanime. Çako u shpreh se shumicën e rasteve zjarret janë të qëllimshme, por po punohet së bashku me policinë e shtetit dhe organet e drejtësisë për zbardhjen e qëllimit.

Çako: "Situata është nën kontroll të plotë pothuajse në shkallë vendi. Në të gjitha qarqet është punuar intensivisht edhe ditën e sotme, zjarret janë nën kontroll. Nuk ka situata që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve apo banesat e tyre. Vazhdon operacioni në zonën e Karaburunit, në kufi me Parkun Kombëtar të Llogarasë. Është punuar gjatë gjitha ditës së sotme me të gjitha FA dhe  forcat e Mbrojtjes Civile, pro gjithashtu është punuar edhe nga ajri me helikopter për parandalimin e avancimit të zjarrit.

Helikopterët e ardhur nga Holanda dhe Çekia do të fillojnë nesër operacionin dhe besojmë që ky operacion do të përmbyllë të gjitha vatra e shpërndara në këtë gadishull. Ne jemi duke hetuar bashkë me policinë e shtetit dhe organet e tjera të drejtësisë nëse vatrat janë të qëllimshme. Në shumicën e rasteve zjarret janë me dashje. Duhet sqaruar përfundimisht nga hetimi se kush është qëllimi."

Më herët ministria e Mbrojtjes bëri me dije janë shuar 163 vatra zjarri në të gjithë territorin e vendit, në një periudhë 11 ditore.