Përballja Berisha-Kim, Hoti: Diplomatët amerikanë e dinë që Basha nuk përjashton dot Berishën
Ish-kryeministri Sali Berisha, ditën e djeshme, 5 gusht filloi betejën ligjore kundër sekretarit të shtetit amerikan Blinken për shpalljen e tij "non grata".
Ish-diplomati Dritan Hoti në një lidhje të drejtpërdrejtë për Ora News, lidhur me vendimin e DASH për ta shpallur zotin Berisha "non grata" u shpreh se Shqipëria ndodhet përballë një procesi transformues dhe këto lëvizje janë normale. Zoti Hoti tha se Amerika është aleatja dhe mbrojtësja e drejtpërdrejtë e hapësirave shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Hoti: "Kur jemi përballë proceseve transformuese siç mendohet të jetë Shqipëria, jo vetëm që ka lëvizje të pllakave tektonike nga të gjitha anët, por duhet të kemi parasysh që SHBA janë jo vetëm aleati por edhe protektori i drejtpërdrejtë i hapësirave shqiptare në Ballkanin Perëndimor. SHBA ka marrë përsipër inicimin, zhvillimin dhe kryerjen e këtij procesi reformues në Shqipëri nëpërmjet institucioneve të reja të drejtësisë, pra janë garancia e funksionimit të këtyre institucioneve që do të sjellin atë transformim të shumëpritur, por të merituar të shoqërisë shqiptare."
Përsa i përket thirrjes të ambasadores amerikane, Yuri Kim drejtuar kreut të opozitës për ta përjashtuar zotin Berisha nga grupi parlamentar në shtator, Hoti tha se kjo është një lëvizje më shumë e rafinuar për ta parë a do të vendoset Basha në të njëjtën korsi përkundrejt SHBA.
Hoti: "Kjo është një hallkë kryesore. Diplomatët amerikanë hera-herës përdorin mekanizma dhe mjete që quhen mjete imponuese, por që janë qëllim-mira. Unë besoj që diplomatët amerikanë kanë disa kanale informacioni dhe ata janë të ndërgjegjshëm që lideri aktual i opozitës nuk ka kapacitetin, mundësinë dhe në kushtet aktuale që të imponojë daljen nga grupi parlamentar të ish-kryeministrit Sali Berisha, por ishte një lëvizje më shumë e rafinuar për ta parë a do të vendoset Basha në të njëjtën korsi përkundrejt SHBA, ishte një lëvizje testuese për veprimet e mëvonshme të diplomacisë amerikane në lidhje me këta eksponentë që përfaqësojnë opozitën shqiptare."
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku
