Bregdeti do kthehet në hotele, Lame: Janë kosto për zhvillimin e turizmit, nuk mund të ketë vetëm ullinj
Harta e legalizimit të ndërtimeve dhe të dhënies së tapive të tokave është zgjeruar në jug të vendit. Në Himarë kreu i kadastrës u shpreh se zhvillimi i turizmit do të bëjë që mjaft toka të kthehen në ambiente për zhvillimin e turizmit. Ngërçi në bregdet mbetet mbivendosja e pasurive që sipas tij zgjidhet vetëm me gjykatë.
Tokat me ullishte në bregdetin e jugut shpejt do të kthehen në ndërtime turistike.
Drejtori i kadastrës Artan Lame në shpërndarjen e hipotekave në Himarë theksoi se pavarësisht dëshirës së mirë, kjo do të është pasojë e zhvillimit të bregdetit.
"Do të jenë destinacion për ndërtime turistike që sot janë ullishta dhe dalëngadalë do të ndryshojë destinacion. Është zhvillim që sot nuk i themi stop."
Lame ka pranuar se regjistrimi i pasurive në zonat më të kërkuara siç është bregu i Vlorës ka mjaft parregullsi që kanë krijuar mbivendosje.
"Kam parë AMT-në në disa hotele që janë te zonat e vilave qeveritare, në breg të detit."
Por nënvizoi Lame, kadastra nuk është gjykatë. Si zgjidhje ai u kërkoi palëve ti drejtohen drejtësisë për zgjidhjen e përplasjes.
Ndërsa shtoi se shpesh në raste të tilla ka kërkuar marrëveshje mes palëve, por edhe kjo ka problemet e saj.
"Ka shumë raste me pak dhimbje dhe të shara, janë marrë vesh dhe i kanë rënë në mes."
Para gazetarëve Lame foli dhe për përgjimin e publikuara para votimeve parlamentare. Sipas tij bëhet fjalë për diskutimet e vitit 2017 kur dhe u propozua drafti për zonat që miratohen dhe ato që përjashtohen.
"Ai që është në opozitë, premton edhe hënën."
