Zjarret kanë prekur Parkun e Llogarasë, dy helikopterë në ndihmë nga Holanda
Zjarret që po djegin prej dy javësh Karaburunin kanë prekur edhe Parkun Kombëtar të Llogarasë.
Sipas burimeve flakët kanë mbërritur në zonën e njohur si Gropa e Pirit, kur autoritetet thonë se e kanë nën kontroll.
Për momentin, era është në favor të zjarrfikësve dhe forcave të ushtrisë që kanë kaluar natën atje për të mbrojtur parkun Kombëtar, por ndryshimi i drejtimin do të rrezikonte seriozisht përhapjen e flakëve në park.
Për shkak të erës së fortë, deri më tani po punohet vetëm nga toka në lartësinë e malit, pasi era nuk lejon fluturimet me helikopter.
Këtë të premte ndërkohë pritet të mbërrijnë edhe dy helikopterët nga Holanda të specializuar për operacione të tilla.
Nga ana tjetër në Gjorm të Selenicës, ku të enjten zjarret rrezikuan katastrofën, situata paraqitet nën kontroll.
Zyrtarët lokalë thonë se nuk ka më rrezik dhe tashmë ata kanë nisur evidentimin e dëmeve, ku nga të dhënat e para ka edhe shtëpi të djegura.
Vatra e zjarreve po shtohen edhe në veri e veri-lindje.
Më e rrezikshme mbetet situatë në majën e Rrunës, mbi Tunelin e Kalimashit në Kukës, ku për të vënë flakët nën kontroll është angazhuar një helikopter.
Ndërkohë është vënë nën kontroll vatra e zjarrit në Kalis dhe po punohet për shuarjen e saj, kurse është shuar plotësisht zjarri në afërsi të fshatit Shtanë.
Pasditen e së enjtes, flakët përfshinë edhe Malin e Taraboshit në Shkodër dhe Parkun Kombëtar të Thethit, por tashmë janë vënë nën kontroll.
