Zjarret në Shqipëri/ Guri: Pasi kanë prerë pyjet u kanë vënë zjarrin qëllimisht

I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, ambientalisti Sazan Guri, ka komentuar situatën e zjarreve në Shqipëri, që prej ditësh kanë përfshirë qarqe të vendit.

Ai ka treguar disa mënyra që pyjet janë përfshirë nga flakët, teksa thekson se qytetarët kanë prerë drurët dhe më pas i kanë vënë flakët pyllit për të humbur gjurmët.

Guri thotë se njerëzit i kanë vënë flakën pyllit pasi kanë prerë, vjedhur ose grabitur dru.

“Unë nuk besoj te ajo që ndodh nga vetë natyra dhe pyllit. Nëse një pyll ndizet nga vetë natyra do të thotë që është gjë e mirë. Po unë nuk besoj në këto marrëdhëniet. Në zonë që ka një tepricë të madhe të oksigjenit, mjafton që të kalojë një mushkë dhe me anë të patkoit lind shkëndijë, dhe lind zjarri. Në këto raste quhet proces normal. Po ne nuk jemi në këto kushte. Nuk besoj te një marrëdhënie proces natyror midis pyllit dhe natyrës, por është një proces që ndodh midis pyllit dhe njeriut. Për faktin se njerëzit pasi kanë prerë dru në pyll me leje pa leje, për të humbur drutë e vjedhura apo të grabitura dhe të prera, i vënë zjarrin pyllit.

Kjo është një mënyrë djegie. Mënyra tjetër është se gurore shqiptare për fat të keq guroret bien në malet me pyje, dhe këta që kanë gurore, djegin pyllin këtë vit, në mënyrë që  vitin tjetër ta kenë zonë jashtë interesit të pyllit apo jashtë lejeve pyjore.

Zjarri në pyll ose është një proces që bariu apo një që do të ndërtojë, ka prerë të gjitha llojet e drurëve dhe për të humbur gjurmët, u vë zjarrin. Pra kjo është lidhja, zjarrin o vë ai që ka një leje pylli, ose ai që ka një biznes me gurore.  Përsa i përket shtetit nuk mund të vihet në si pozicion për shuarjen e flakëve një helikopter që ka nevojë për riparim. Kjo është një marrëdhënie mafioze mes njeriut, pyllit dhe qeverisë. “