Shqiptarët zëvendësohen me të huajt, Meta kthen ligjin: Qeveria të kthejë të rinjtë dhe trurin

Lehtësirat e marrjes së lejeqëndrimit në Shqipëri nga të huajt për presidentin Ilir Meta janë të papranueshme. Sipas tij me ligjin e ri qeveria synon të plotësojë hapësirat e krijuara nga emigracioni me shtetas të vendeve të tjera. Në vend të kësaj ai kërkon një strategji për kthimin e të rinjve në vend dhe për afrimin e trurit. Ndaj duke e cilësuar shpopullimin si drama më e madhe e vendit kreu I shtetit kërkon rishikimin e ligjit.

Tiranë - Presidenti Ilir Meta i ka kthyer mazhorancës për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për të huajt”. Në argumentin prej 14 faqesh kreu I shtetit shpreh shqetësimin për rrezikun e një numri të lartë të aplikimeve të shtetasve të huaj dhe tentativën për të plotësuar boshllëqet që shkakton emigracioni me ta.

“Fluksi i shtetasve nga vendet e treta, përtej mundësive dhe kapaciteteve që Shqipëria ka, mund të ofrojë dhe mund të përballojë. Nëse Shqipëria nuk po ofron mundësi punësimi, mirëqenie, stabilitet, siguri dhe garanci për shtetasit e saj, si do të mundet të ofrojë mundësi për të huajt në një masë të gjerë?”

Ndaj kreu i shtetit shton se një situatë e tillë mund të realizohet vetëm pasi të ketë një analizë dhe strategji të plotë.

“Qeveria po përmbush vetëm një qëllim parësor dhe afatshkurtër, plotësimin e boshllëqeve që po krijon largimi masiv i shtetasve shqiptarë me shtetas të huaj, duke u fokusuar më shumë tek fuqia punëtore.”

Më tej meta sjell në vëmendje se Shqipëria është në vendet me numrin më të lartë të kërkesave për azil ekonomik në vendet e BE, teksa e cilëson emigracionin si plagën më të madhe të vendit.

“Shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit. Largimi i trurit, i forcave të reja dhe më krijuese, është një plagë e madhe për vendin, që duhet ndalur sa më pare. Mbyllja e perspektivës për të rinjtë është rrënja e shpopullimit të Shqipërisë. Adresimi i menjëhershëm i këtij fenomeni është emergjencë dhe çdo neglizhencë e mëtejshme do të kishte pasoja katastrofike.”

Për presidentin shpopullimi vjen pasi shqiptarët kanë humbur besimin se kushtet dhe cilësia e jetesës së tyre në vend, mund të përmirësohen, dhe për këtë shkak ata largohen masivisht.

Madje ai shton se Kryeministri ka konfirmuar se qeveria shqiptare nuk është e shqetësuar lidhur me këtë gjendje. 

 

Dokumenta bashkëngjitur