PD kallëzon në SPAK Kryebashkiakun e Mallakastrës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi ti heq mandatin kryebashkiakut të Mallakastrës Qerim Ismailaj, edhe pse ai rezulton te jete i dënuar me 3 vite burg në Greqi. PD, i kërkon SPAK, që të fillojë procedimin penal ndaj tij për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, si dhe të marrë ndaj masën e ndalimin “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
Edhe pse denoncimet e Partisë demokratike u faktuan se kryebashkiaku i Mallakastrës kishte qenë I dënuar me 3 vite burg në Greqi, Komisioni Qendror Zgjedhjeve, refuzoi t’i heq atij mandatin. Krahas përgatitjes së një ankimi të vendimit të KQZ-së në gjykatë, Partia Demokratike, paditi në SPAK Kryebashkiakun e Mallakastrës.
Sekretari i Përgjithshëm i Gazment Bardhi, i kërkon Prokurorisë Speciale, të marrë nën hetim Qerim Ismailajn, për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, ku parashikohet një dënim deri në 4 vjet burgim. Sipas kallëzimit të dorëzuar, rezulton se:
“Nga evidenca e shërbimit të oficerit të policisë P.F., të datës 30.01.1999 Qerim Ismailaj, ishte thirrur sipas ligjit dhe në kohë për t’u paraqitur në MOD të Chios gjatë ditës së gjykimit në 25.02.2000. Më tej, nga evidenca e shërbimit të datës 28.06.1999, e oficerit të policisë P.F., rezulton se i pandehuri mori dijeni për akuzën që atribuohej kundër tij, nëpërmjet materialit përcjellës me numër 58/1999, me të cilin ai u referua që gjykohej përpara Gjykatës së Përbërë nën Betim.”
Kjo sipas Partisë Demokratike, provon që ai ka patur dijeni për gjykimin dhe dënimin e tij në shtetin grek, por e ka fshehur këtë fakt në formularin e dekriminalizimit.
Partia Demokratike kërkon gjithashtu nga SPAK që të fillojë procedimin penal ndaj shtetasit Qerim Ismailaj dhe të marrë ndaj tij masën e ndalimin “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.