Gjyqtarët e Kushtetueses në Gjyq: Bashkim Dedja dhe Flatos Lulo akuzohen për deklarim të rremë e fshehje pasurie
Pas katër muajsh hetime SPAK ka mbyllur hetimin për pasurinë e kryetarin e gjykatës kushtetuese Bashkim Dedja dhe ish anëtarin Fatos Lulo, të dy të shkarkuar nga detyra pasi nuk kaluan provën e Vettingut.
Në vendimin përmes të cilit çështja shkon në gjykatë thuhet se ata akuzohen për refuzim për deklarim, mos deklarim dhe fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive.
Në dokument ata do të gjykohen në kuadër të nenin 257 a të kodit penal në të cilin dënimi parashikohet nga 6 muaj burg deri në tre vite.
Akuzat
Fatos Lulo akuzohet për kryerjen e veprës penale “ Refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim, kryer në formën e deklarimit të rremë.
Bashkim Dedja akuzohet për kryerjen e veprës penale “ Refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim,kryer në formën e deklarimit të rremë dhe fshehjes.
U shkarkuan nga vetingu
Të dy gjyqtarët u shkarkuan nga vetingu për shkak të problemeve me pasurinë.
Për ish kreun e kushtetueses Bashkim Dedja ka qenë komisioneri publik që ankimoi vendimin e KPK duke konstatuar probleme në justifikimin e pasurisë dhe burimin e ligjshëm të saj e të personave të lidhur për tre asete, përfshi një apartament 98m2 në Tiranë i blerë në vitin 1997, një apartament 146 m2 dhe një garazh në kompleksin ‘Nobis’ në Tiranë dhe një apartament në përdorim në Golem me sipërfaqe 60 m2.
Në dhjetor 2018 KPA vendosi shkarkimin e Bashkim Dedja.
Sa i përket ish anëtarit të kushtetueses, Lulo është shkarkuar në mars të vitit 2018 pasi trupa e vettingut konstatoi mospërputhje të pasurive.
Ish anëtari i Gjykatës Kushtetueses deklaroi pasuri prej 92 milionë lekësh prej të cilave 75 të përfituara kur nis të punojnë si gjykatës.
Parregullsi u konstatuan në blerjen e apartamentit në rrugën Sami Frashëri në Tiranë, një apartament në rr. e Durrësit, si dhe një zyrë në Rr. Ismail Qemali.
Gjithashtu, KPK ka vlerësuar si deklarim të rremë në ILDKPKI edhe dhuratën e marrë nga e motra Drita Lulo në vitin 2008 me vlerë 100 mijë USD, shitjen e një apartamenti në Toronto të Kanadasë me vlerë 160 mijë dollarë kanadez, një hua prej 480 mijë USD nga e motra e shlyer brenda vitit 2005 dhe një depozitë prej 400 mijë dollarë kanadez në Toronto.
Në atë kohë avokati i Lulos deklaroi se të ardhurat ishin të ligjshme dhe se e motra e gjyqtarit kishte të ardhura të mjaftueshme për të mbështetur vëllanë.
Sekuestrimi i pasurive
Pas shkarkimit SPAK nisi hetimet në datën 7 maj 2020. Më 28 prill të vitit 2021 SPAK sekuestroi pasuritë e dy ish gjyqtarëve dhe tashmë palët do të përballen në gjykatë.

Ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja i është sekuestruar një apartament me sipërfaqe 60 m2, e ndodhur në zonën Kryemedhenj, Njësia Administrative Golem Kavajë.
Ish gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo i është sekuestruar një njësi dyqan 172 metra katrorë në rrugën e Durrësit, Tiranë.