Të ardhura të dyshimta, vlonjatit të dënuar për drogë i sekuestrohen 10 pasuri

Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka vendosur  caktimin e masës së sigurimit personal pasuror sekuestro preventive mbi pasuritë e shtetasit Ilia Ziu, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Trafikimi i narkotikëve” të parashikuar nga nenet 283 dhe 283/a të Kodit Penal, si dhe pasuritë në emër të të afërmve të tij dhe personat fizikë, konkretisht shtetasve E.Z dhe Ll.Z., për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë e tyre zotërohen në mënyrë të tërthortë nga shtetasi I.Z.

Bëhet fjalë për 2 pasuri të paluajtshme të llojit arë, 4 apartamente banimi, 2 poste parkimi, 1 njësi tregtare dyqan dhe 1 autoveturë.

Kërkesa për sekuestron ishte bërë nga Prokuroria e Vlorëa me 26 korrik.

Ilia Ziu së bashku me dy persona të tjerë u arrestuan nga policia e Beratit në 2014 pasi gjatë kontrollit në automjetin me të cilin ata udhëtonin ju gjet një sasi e konsiderueshme lëndë narkotike kanabis sativa.

Bashkë me lëndën narkotike atyre ju sekuestruan dhe 11670 euro dhe 8000 lekë.

Vendosen në sekuestro

1.      Pasuri e llojit “arë”, me sipërfaqe 702 m2 Spitallë.

2.      Pasuria e llojit “arë”, me sipërfaqe 902 m2, Spitallë.

3.      Apartament banimi sipërfaqe 109 m2, në Sarandë, porositur nga shtetasja E.Z.

4.      Apartament banimi” me sipërfaqe 77.75 m2 Sarandë.

5.      Apartament me sipërfaqe 110.07 m2 në  Tiranë, në zotërim të shtetasit Ll.Z.

6.      Apartament me sipërfaqe 70.03 m2 të ndodhur në rr. Kavajës, Tiranë, në zotërim të shtetasit Ll.Z.

7.      Post parkimi me sipërfaqe të shfrytëzueshme 12.5 m2, Tiranë, në zotërim të shtetasit Ll.Z.

8.      Post parkimi me sipërfaqe të shfrytëzueshme 12.5 m2, ndodhur në Tiranë, në zotërim të shtetasit Ll.Z.

9.      Njësi tregëtare (dyqan)” me sipërfaqe 291 m2, porositur nga shtetasja E.Z.

10.  Autoveturë e markës “Toyota”, Tipi “J12”, modeli “Land Criuser”, në pronësi të shtetasit I.Z.

Në zbatim të vendimit gjyqësor dhe nenit 14 e vijues të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar,  është nxjerrë nga prokurori urdhëri i ekzekutimit, i cili u është dërguar për ekzekutim/zbatim shërbimeve e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave, Tiranë, si dhe Agjencisë Shtetëror të Kadastrës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë.