Raporti/ 85 mijë fëmijë “në rrezik”! Shqetësues fakti se fëmijët po shfrytëzohen për trafik droge
Shqipëria vijon të shfaqë rezultate të dobëta në raport me mbrojtjen e fëmijëve, ndërsa një sërë raportesh kanë vlerësuar se një numër i konsiderueshëm të miturish mbeten të ekspozuar ndaj rrezikut të trafikimit, të shfrytëzimit seksual apo punës së detyruar. Ekspertët e fushës shohin gjithashtu me shqetësim të madh përdorjen e tyre për qëllime të kultivimit apo shpërndarjes së lëndëve narkotike.
185 mijë fëmijë në vend janë të rrezikuar nga fenomene të shumta negative përfshirë trafikimin apo edhe punën e detyruar, ndërsa të dhënat bëhen të ditura nga analizimi i disa raporteve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Altin Hazizaj, drejtues i Qëndrës për Mbrojtjen e Fëmijëve, shprehet se në vitet e fundit shihet me shqetësim fakti se të miturit po përdoren gjithnjë e më shumë për shpërndarjen dhe kultivimin e drogës.
"Ndarja kryesore ishte për shpërndarje droge, e dyta punë skllavëruese si lypësia dhe e treta shfrytëzimi seksual. Shfrytëzimi seksual i fëmijëve ka kaluar në plan të tretë."
Arsyeja se përse këta trafikantët zgjedhin fëmijët për ti shfrytëzuar është se ata nuk ndërshkohen nga ligji.
"Fëmija nuk mban përgjegjësi penale, ata që i shfrytëzojnë fëmijët e dinë shumë mirë këtë gjë. Arrijnë të gjejnë një numër të gatshëm fëmijësh që për të eleminuar varfërinë e tyre janë të gatshëm të bëjnë këto gjëra."
Ndryshe nga vitet e tjera, trafikantët shmangin kontaktet fizike me viktimat apo familjet e tyre duke përdorur komunikimet në internet.
"Tani ndodh në një botë virtuale që në shumicën e rasteve policia e ka të pamundur ti gjurmojë këto."
Të dhëna të tjera shqetësuese vijnë edhe nga shtete të tjera si Italia dhe Britania e Madhe.
Gjatë viti të fundit institucione në Itali raportojnë se Shqipëria renditej në vendin e parë për numrin e fëmijëve të pashoqëruar në Itali, me rreth 1393 fëmijë e të mitur.
Ndërsa Ministria e Brendshme e Britanisë thotë se të paktën 162 fëmijë nga Shqipëria u shfrytëzuan për qëllime seksuale, për vepra penale dhe punë të detyrueshme.

