Në kufirin Shqipëri-Greqi lulëzon kontrabanda e kanabisit, banorët: Jetojmë me frikë

Kultivimi dhe trafikimi i kanabisit është gjallëruar ndjeshëm kohët e fundit në kufi mes shqipërisë dhe greqisë. Radio gjermane Deutsche Welle ka publikuar një investigim për këtë fenomen ku citon zyrtarë të policisë greke që thonë se prodhimi i kanabisit vazhdon të jetë i lartë. Në anën tjetër reportazhi citon edhe banorët grekë të fshatrave në kufi me Shqipërinë që thonë se jetojnë me frikë pasi trafikantët kanë mbjellë parcela kanabisi ngado dhe kryejnë grabitje e vrasje.

Policia greke e konsideron zonën kufitare me Shqipërinë si një nga rrugët më të mëdha të kanabisit dhe të drogave që kalojnë në Evropë.

Radio gjermane Deutsche Welle ka publikuar një artikull kritik ku thekson se droga e kultivuar dhe e trafikuar nga fshatrat në kufi mes dy vendeve dërgohet në Evropën Perëndimore përmes porteve të Greqisë.

Konstantinos Karalambakis, shef i sektorit kundër drogës në qytetin kufitar të Janinës, thotë se forcat greke të rendit zhvillojnë shumë kontrolle, por shpesh gjejnë vetëm drogat që kanë lënë kontrabandistët.

Deutsche Welle citon zyrtarin e policisë kur thotë se bandat po bëhen gjithnjë e më brutale dhe shumë janë të armatosur me kallashnikov kur sjellin "mallin" në Greqi.

Trafikantët e kalojnë shpesh kufirin gjatë natës me çanta shpine të mbushura me drogë dhe më pas fshihen poshtë trungjeve të pemëve.

Gjatë vitit 2020 policia greke sekuestroi mbi 1.5 tonë kanabis, megjithëse është e vetëdijshme se për shkak të vijës së gjatë kufitare, rreth 300 kilometër, mund të kapë vetëm një pjesë të drogës që vjen nga Shqipëria.

Radio gjermane shkruan se Qeveria në Tiranë ka premtuar vazhdimisht se do ta luftojë kontrabandën e kanabisit që shkon në Bashkimin Evropian nëpërmjet Greqisë, por prodhimi i drogës me sa duket vazhdon pa u ndalur në zonën kufitare me Greqinë.

Bletari Giorgos Tsiavos që jeton pranë kufirin shqiptar thotë se trafikantët kanë mbjellë mijëra bimë kanabis në mes të pyllit, jo në anën shqiptare, por në tokën greke.

Ai thotë se fshati jeton me frikë prej trafikantëve pasi në zonë kanë ndodhur një numër vjedhjesh dhe madje edhe një vrasje nga një kontrabandist shqiptar droge.

Policia e Janinës ka vendosur të përforcojë sërish mbrojtjen e fshatrave kufitarë nga bandat e drogës, por hetuesi Charalambakis e di se megjithë arrestimet numri i kontrabandistëve shtohet, sepse varfëria në Shqipëri dhe fitimet e mëdha bëjnë që bandave të kontrabandistëve t'u shtohen gjithnjë e më shumë anëtarë të rinj.

Sipas tij një çantë shpine me kanabis ka një vlerë tregu prej 50,000 eurosh.

“Për sa kohë që Shqipëria është prodhues i kanabisit dhe gjithashtu furnizuesi më i madh në Evropë, ne nuk do të shpëtojmë nga ky problem. Ne do të vazhdojmë të luftojmë kundër tij, por ai nuk do të marrë fund shpejt", ka thënë polici grek.