Baçi mes tymit toksik: Bashkia të japë llogari, pse nuk ka dërguar plehrat në incenerator kur ishte gati

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike për Fierin, Luan Baçi, doli sërish në një prononcim për gazetarët sot nga fusha e mbetjeve në Fier ku djegia e mbeturinave ka hyrë në ditën e katërt.

Baçi foli për aferë korruptive të pushtetit lokal dhe qëndror, teksa kërkoi llogari se pse bashkia e Fierit nuk i dërgon mbetjet në incenerator kur ky i fundit ka deklaruar  se ka qenë gati që në maj për të pritur depozitimin e mbetjeve urbane të gjeneruara nga pastrimi i territorit të Bashkisë Fier, por  dhe Njësive të tjera Administrative të Qarkut Fier.

"Kjo fushëmbetje gjithmonë është ndezur tym dhe flakë por ka kaluar në heshtje.Jemi për të denoncuar këtë aferë korruptive  bashkë ime inceneratorin që ka thithur 46.5 mln euro dhe nuk është bvënë akoma në punë. Pavarësisht deklaratave se është gati që nga data 25 maj ka qenë gati për punë. Këtu duhet të dalë përgjegjësia, pse bashkia nga data 25 maj kur sipas kontratës së inceneratori ka qenë gati për të filluar punë pse nuk është përgjigjur gjatë kësaj periudhe".

Era dhe tymi toksik në zonë vështirësoi edhe prononcimin për mediat.

"Ndjesë për tymin që po thithni tani, është fakt kuptimplotë në çfarë sitatë është qyteti i Fierit sot, dhe në çfarë situate jemi ne bashkë me ju që po bëjmë këtë deklaratë për mediat. Ka mbërritur tymi dhe bloza deri në plazh, në anë të detit dhe po shpërndahet gjithandej".

Deputeti demokrat u shpreh spektiv që kjo situatë do të marrë zgjidhje ndërsa u propozoi fierakëve të paditin në gjykatë bashkinë për të marrë dëmshpërblim për pasojat në shëndet që u ka shkaktuar gjatë këtyre ditëve.

"Pavarësisht punës që ka vazhduar gjatë këtyre ditëve kjo nuk ka për të marrë zgjidhje. Jam këtu për të sensibilizuar qytetarët fierakë, të reagojnë dhe reflektojnë. Duhet ti drejtohemi gjykatës për të dëmshpërblim nga bashkia për këtë dëm që ju ka shkaktuar qytetarëve".

Baçi shpjegoi se pse Partia Demokratike ka kontestuar me forcë ngritjen e inceneratorit.

"E kemi kundërshtuar sepse ishte vendosur të bëhet në Portëz, shumë afër qytetit. Por e miratuan me forcë në Mbrostar. Nuk u mor mendimi i komunitetit, janë falsifikuar firmat e shumë banorëve sikur kanë qenë dakord".