Dita e katërt/ Tymi helmon qytetarët e Fierit, palët politike fajësojnë njëra-tjetrën

Ndotja alarmante në Fier nga djegia e mbetjeve po vazhdon për të katërtën ditë me radhë ndërsa tymi ka mbuluar qytetin dhe zonat përreth. Kreu i opozitës, Lulzim Basha, e quan situatën pasojë të një skeme kriminale, ndërsa kryebashkiaku i Fierit e bën fajtore PD-në për situatën pasi ka penguar projektin e trajtimit të mbetjeve. Më të prekur nga kjo situatë janë qytetarët që po bashkëjetojnë prej ditësh me tymin toksik, ndërsa ekspertët thonë se situata e krijuar është e dëmshme për shëndetin.

Për të katërtën ditë me radhë qyteti i Fierit u mbulua nga tymi helmues i mbetjeve që vazhdojnë të digjen.

Zjarri në fushën e grumbullimit të mbeturinave ka krijuar prej ditësh një situatë alarmante mjedisore, ndërsa ekspertët e mjedisit thonë se shëndeti i qytetarëve është në rrezik.

"Djegia është me parametra vrasës."

Përfaqësuesi i PD në Fier, Luan Baçi, tha se katastrofa  mjedisore është shkaktuar nga afera korruptive me inceneratorin.

"Kjo fushëmbetje gjithmonë është ndezur tym dhe flakë por ka kaluar gjithmonë heshtur duke abuzuar me pushtetin e pakufizuar që ka bashkia e Fierit dhe pushteti qëndror. Jemi këtu për të denoncuar përsëri këtë aferë korruptive në bashkëpunim me inceneratorin që ka thithur 26.5 mln euro".

Duke publikuar disa foto nga qyteti i Fierit i pushtuar nga tymi, kryedemokati Lulzim Basha u shpreh se në Fier është e njëjta skemë kriminale si në Durrës dhe Kavajë.

"Helmohen familjet,vetëm që të justifikojnë më pas pagesa të majme inceneratorëve me aksionerë mafian dhe qeveritarët e korruptuar. Viktimat janë njerëzit që helmohen dhe vidhen. Hesht drejtësia, edhe pse ka muaj që PD ka depozituar në SPAK faktet: mbi 400 milionë euro të taksave të shqiptarëve që qeveria ja ka dhuruar inceneratorëve".

Kreu i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, i cili drejton Bashkinë që nga 2015, bën fajtorë demokratët pasi sipas tij ata votuan kundër shpalljes së emergjencës mjedisore.

"Lulzimi dhe të "tijët" në Fier që votuan kundër në Këshill Bashkiak për emergjencën mjedisore te fusha ekzistuese 70 vjeçare, duke e shtyrë rreth 2 vjet në kohë përfundimin e tij, që vazhdojnë të shpifin pa fund për gjoja helmimin e ujërave, të ajrit, të tokës nga impianti i ri, sot dalin dhe bëjnë të pafajshmin, apo të paditurin?!"

Më të prekur nga kjo situatë janë qytetarët e Fierit që po bashkëjetojnë prej ditësh me ndotjen.

"Gjithë ai tym, ato mbeturina këtu vijnë."

"Më keq nuk ka ku shkon por çfarë do të bëjmë?"