U kap në flagrancë duke marrë 10 mijë euro për licencën e farmacistit, mashtruesja 31-vjeçare zhvati 16 mijë euro

Premtimi i rremë për dhënien e licencës së farmacistit kundrejt pagesave deri në 10 mijë euro, ka çuar në pranga 31-vjeçaren Suela Kapidani. Kjo e fundit u kap në flagrancë duke marrë paratë nga një qytetar, ndërkohë që policia thotë se të njëjtën skemë e reja e kishte aplikuar ndaj dhjetëra qytetarëve.

Një 31-vjeçare u arrestua nga policia me akuzën e mashtrimit teksa po merrte 10 mijë euro nga një qytetar të cilit i kishte premtuar licencën e farmacistit.

Burimet zyrtare thanë se e dyshuara kishte aplikuar të njëjtën skemë ndaj disa qytetarëve duke përfituar shuma të mëdha monetare.

Policia njoftoi finalizimin e operacionit policor të koduar "Premtimi i rremë", gjatë të cilit është arrestuar shtetasja Suela Kapidani, 31-vjeçe e cila akuzohet se ka mashtruar shumë qytetarë, nëpërmjet mesazheve në Instagram, për përfitimin e licencës së farmacistit. 

Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se "në bazë të hetimeve u bë e mundur kapja në flagrancë nga policia e 31-vjeçares në rrugën "Josif Budo", në Kavajë, duke marrë shumën prej 10.000 euro, pasi kishte mashtruar disa shtetas, nëpërmjet komunikimeve në rrjetin social Instagram, me adresa false të krijuara me emra të punonjësve të një institucionit shtetëror, me pretendimin për t’i ndihmuar në nxjerrjen e licencës për ushtrimin e profesionit të farmacistit". 

Sipas policisë, nga hetimet rezultoi se kjo shtetase, nëpërmjet mashtrimit dhe veprimeve të saj, ka arritur të përfitojë në total 16.000 euro.

Pas arrestimit policia ka bërë kqyrjen e telefonit të saj ku janë gjetur edhe shumë biseda të tjera me persona të ndryshëm, me të cilët komunikonte me qëllim mashtrimin për përfitim të paligjshëm të parave. 

Gjatë arrestimit të 31-vjeçares në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 1 kompjuter, 2 aparate telefonike, 10.000 euro, 50.000 lekë të rinj dhe 61 fatura tatimore shitjeje.