Betejë për tenderat në PS, Koçi “bashkëpunëtor” i SPAK, Subashi anulon incenerat
Bashkia e Fierit ka anuluar së fundi një tender me vlerë 20.3 milionë lekë për trajtimin e mbetjeve. Më 5 korrik bashkia e Fierit shpalli njoftimin për rikonstruksionin e rrugës “Hyrja Kallm-incenerator”, por 8 ditë më pas procedura është anuluar për arsye të interpretimit kontraktual. Vendimi vjen në një kohë kur SPAK po heton akuzat e Petro Koçit për tenderat në Fier ndërkohë që disa zyrtarë janë arrestuar në Tiranë dhe në Lushnje për abuzim me këto procedura.
Debati për menaxhimin e fondeve publike si dhe arrestimet e disa zyrtarëve për abuzimet me tenderat, duket se kanë detyruar Bashkinë e Fierit tërhiqet nga një tender me vlerë 20.3 milionë lekë, që do të shkonte në favor të biznesit të plehrave.
Sipas të dhënave në Agjencinë e Prokurimeve Publike në datën 5 korrik, Subashi shpalli njoftimin për rikonstruksionin e rrugës “Hyrja Kallm-incenerator”.
Referuar këtyre të dhënave, Bashkia do të përdorte fondet e qytetarëve për të sistemuar rrugën që lidh qytetin me landfillin, një biznes i marrë me koncesion nga kompania “Integrated Technology Waste Fier”, nën administrimin e Klodian Zotos.
Subashi do të ndërmerrte një veprim të tillë edhe pse kjo bie në kundërshtim me kontratën koncesionare të nënshkruar në tetor të vitit 2016 mes Ministrisë së Mjedisit dhe “Integrated Technology Waste Treatment”.
“Koncensionari është përgjegjës për ndërtimin e të gjitha rrugëve të nevojshme hyrëse, nga rrjeti ekzistues rrugor shqiptar deri në shesh”.
Vetëm 8 ditë pas shpalljes së njoftimit, Bashkia e Fierit vendos të anulojë tenderin për arsye të interpretimit kontraktual.
Në fakt, procedurat zakonisht anulohen kur nuk ka asnjë ofertë të përshtatshme, kur dokumentat e tenderit janë me gabime, kur ka rrethana të paparashikuara, apo kur kjo gjë vendoset nga Komisioni i Prokurimit Publik.
Në rastin konkret, Bashkia e drejtuar nga Subashi nuk gjendet në asnjë prej këtyre kushteve për anulimin e procedurës.


