"Zgjohem pa u zgjuar qyteti dhe fle kur boshatiset", Leli: Kam punuar me tre turne gjithë jetën
Prej dy javësh të stacionuar në qytetin e bukur të Vlorës, Ora Verore në Rtv Ora nga Ronaldo Sharka nuk mund të largohej pa një intervistë me qytetarin e parë të qytetit, Dritan Leli.
Nga Zvërneci i bukur, Leli erdhi me një rrëfim ndryshe rreth punës së tij të përditshme në krye të punëve të Vlorës.
Dritan Leli: Faleminderit për ftesën në Ora Verore tuajën dhe faleminderit që keni zgjedhur Vlorën si stacion. Sa i përket zgjimit mua më duket sikur kryetarët e bashkive nuk flenë, ose të paktën flas për rastin tim. Për mua kjo nuk ka qenë një sforco as një gjë e vështirë. Me profesion jam mjek dhe kam punuar gjatë gjithë jetës time me tre turne. Kështu që kjo punë e re, kjo sfidë e imja, nuk ka sjellë asgjë të re sa i përket gjumit.Ka qenë pjesë e punës time të zakonshme dhe motivimit tim për të bërë më të mirën.Ishte mirë që zgjodhëm këtë orë të mëngjesit kur qyteti është në përgatitjen e vet, fillimin e ritmit të ditës në një sezon turistik.
E nëse e pyet Dritan Lelin si nis dita e tij si Kryebashkiak, ai ka këtë përgjigje.
Dritan Leli: Dita ime e punës fillon herët, vazhdon deri në orët e para pas mesnate. Fle pak gjumë. Zgjohem pa u zgjuar qyteti dhe fle kur qyteti ka filluar të boshatiset. E përballojmë me një mobilizim të gjithë strukturës në bashkinë e Vlorës ku drejtuesit e institucioneve, drejtorive duke qenë një bashki turistike pushojnë pak,maksimumi një javë, edhe kryetari i bashkisë nuk ka planifikuar këtë verë pushime.
Është optimist për Vlorën, duke e parë si atraksionin kryesor turistik edhe të së ardhmes.
Dritan Leli: Është një qytet që lëviz, ka vizitorë të pafund, ka çdo ditë biznese të reja që rriten dhe zhvillohen,hotele të reja që hapen, një ofertë turistike që përmirësohet dita-ditës dhe që e bën Vlorën atraksionin turistik jo vetëm të kësaj kohe që jetojmë por jam i bindur që do të jetë atraksioni i viteve që vijnë.
Strategjitë nga ana e bashkisë për ta markuar si duhet qytetin bregdetar nuk kanë munguar.
Dritan Leli: Bashkia e Vlorës u ka ofruar falas, me shpenzimet e bashkisë, promovimin e qytetit të gjithë bizneseve të turizmit në Vlorë.Në kohën e pandemisë jemi përpjekur të punojmë me rrjetet sociale, faqet online për të promovuar qytetin me videoklipe apo spote të vogla publicitare që kanë pasur impaktin e tyre dhe bënë që në sezonin e shkuar ku thirrja për turizmin ishte që të vijnë të gjithë qytetarët shqiptarë kudo ku ata ndodhen në trevat shqiptare, arritëm të mundim ngërçin e madh të pandemisë. Absolutisht ky vit, me shpresën në dukje të përmirësimit të ndjeshëm të situatës së pandemisë ka dhënë një impuls tjetër pozitiv të ekonomisë së turizmit. Do të jemi vazhdimisht deri në fund të gushtit duke promovuar Vlorën për të pasur më shumë vizitorë dhe në shtator dhe tetor, pasi presim të kemi një zgjatje të sezonit turistik në varësi dhe të kohës. Por duhet të kemi parasysh që jemi në kushtet e pandemisë dhe nuk e dimë sesi do të shkojë.
Gazetari: A pretendoni se Vlora mund të bëhet shumë herë më interesante sesa pjesa tjetër e jugut tej Llogarasë? Rinia preferon të bëjë një Check-in tej Llogarasë, Vlora u duket një qytet më i thjeshtë, jo aq luks.
Dritan Leli: Mund të them një shembull të disa miqve të mi që jetojnë në Zvicër, të cilët ishin vizitorë në muajin qershor, për shkakun tim zgjodhën Vlorën në një nga resortet më të mira dhe në fund më thanë që kjo është një arsye që të mos e kalojmë më Llogaranë dhe të qëndrojmë në Vlorë. Vlora vazhdon të jetë një kantier ndërtimi, në zonën e Skelës kemi një nga investimet më të rëndësishme Muzeun e Pavarësisë, të cilat po përmirësojnë dukshëm infrastrukturën turistike të qytetit dhe me fillimin e projektit të ri të transformimit të portit kryesor të qytetit në port jahtesh dhe zhvendosjen e tij në zonëne Pyllit të Sodës janë hapat e rëndësishëm që konsolidojnë të ardhmen turistike të qytetit dhe për ta bërë absolutisht portën hyrëse për jugun e Shqipërisë dhe stacionin ndalues para se të shkojnë në jug.
Zhvillimi i agroturizmit nuk është në nivelet që do të donte, por edhe në këtë drejtim Leli thotë se gjërat kanë lëvizur.
Dritan Leli: Ka iniciativat e para.Nuk mund të them se ka sukses në këtë moment, infrastruktura e munguar sidomos në pjesën e brendshme të territorit, në pjesën e lumit të Vlorës ka bërë që stepja e njerëzve për të investuar në industrinë e turizmit të ishte evidente. Ndërsa sot në pjesët më të thella të Lumit të Vlorës, përmes lumit të Vlorës të shkosh në Nivicë apo zonën e Tepelenës është kthyer në një iniciativë që nuk duhet ta mendojë askush shumë gjatë.Javën që shkoi kam pasur tre aplikime për zonën e Dukatit dhe Radhimës që janë të interesuar për të zhvilluar pika agroturizmi të lidhura qoftë me bujqësinë ,qoftë me blegtorinë, për të pasur një përmirësim të ofertës turistike të ndryshme tanimë nga hotelet e luksit në buzë të detit. Mbetet akoma shumë për të bërë.

