Loja me paratë e policëve/ Plani për kalimin e 12 mijë numrave tek “One” shkel portabilitetin

Plani i Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit i lobuar edhe nga personazhe të larta politike në Tiranë për kalimin e 12 mijë numrave të punonjësve të policisë tek kompania One bie ndesh me ligjin për portabilitetin. Ky i fundit sanksionon se transferimi i numrit duhet të bëhet nga përdoruesi me pëlqimin e kompanisë. Një tjetër fakt është se janë vetë efektivët që i paguajnë faturat mujore të numrave dhe duhet të jenë po ata që vendosin se ku do ta marrin shërbimin. Ndërhyrja në këtë situatë nga kupola drejtuese e institucioneve lë vend për konflikt të hapur interesi.

Efektivët e policisë duket se e kanë pritur me habi dhe shqetësim lajmin për planin e Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë për kalimin e 12 mijë numrave nga kompania Vodafone Albania drejt operatorit One.

Plani, i cili sipas burimeve po lobohet me ndërhyrjen e personazheve të niveleve të larta politike në Tiranë, duket se është hartuar në mungesë të plotë konsultimi dhe transparence.

Efektivë të policisë të kontaktuar nga Rtv Ora thanë se nuk kanë asnjë dijeni për këtë plan, ndërsa shtuan se nuk kanë pasur ankesa apo problematika sa i përket shërbimit të ofruar nga kompania Vodafone për numrat që kanë aktualisht në përdorim.

Nëse realizohet transferimi i12 mijë numrave tek operatori One do të sjellë problematika për efektivët e policisë, të cilët në një periudhë si korriku dhe gushti, do të duhet të merren me paraqitjen e dokumentacionit dhe aplikimet për mbylljen e numrave që kanë në përdorim e më pas për hapjen e numrave të rinj.

Ajo çka po synon Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit me ndërhyrjen e personave të afërt me politikanë të rëndësishëm në Tiranë, bie ndesh edhe me rregullat e vendosura për portabilitetin e numrave telefonikë, i cili është përcaktuar me ligj se duhet të bëhet në marrëveshje mes kompanive celulare, kur ti zgjedh të shkosh nga një kompani tek tjetra. 

Ligji në këtë rast ka synuar të krijojë një garë të hapur mes operatorëve në kushtet e tregut të lire, ndërsa me Policinë e Shtetit duket se këto parime universale nuk vlejnë.

Aktualisht një efektiv i rolit bazë në Policinë e Shtetit paguan nga xhepi i tij 700 lekë në muaj për numrin e ofruar nga kompania Vodafone.

Kjo tarifë që ofrohet për policët bazuar në kontratën e tyre kolektive, përmban 300 minuta biseda telefonike, 300 mesazhe dhe 2 GB internet.

Duke qenë se janë efektivët ata që paguajnë faturimin mujor për numrat që përdorin,  janë pikërisht punonjësit e policisë që duhet të vendosin se nga cila kompani duan të marrin shërbimin.

Paracaktimi i kompanisë nga drejtues të lartë të policisë apo Ministrisë së Brendshme jo vetëm që nuk është i bazuar në ligj por krijon dyshime për konflikt të pastër interesi.