Sarandë: Flakët djegin kodrën, banorët me lopata ndihmojnë zjarrfikësit për të shuar flakët
Një sipërfaqe e konsideruar është përfshirë nga zjarri të premten në fshatin Sheleger të Saradës.
Flakët janë përhapur me shpejtësi të madhe, kjo e ndihmuar edhe nga era që ka fryrë në këtë zonë.
Banorët e zonës kanë dalë në ndihmë të 4 zjarrfikësve, të cilët janë përpjekur për të vënë flakët nën kontroll duke hedhur skrepa dhe lopata me baltë me qëllim që zjarri të mos shkonte në tokat e mbjella.
Zjarri ka rrezikuar edhe kishën e fshatit, por fatmirësisht kjo e fundit nuk u përfshi nga flakët. Ky ishte zjarri i parë masiv në zonë, ndërsa policia po punon për identifikimin e shkaqeve të zjarrit.
Nga ana tjetër, një zjarr i vënë në mënyrë të qëllimshme nga një person në një barishte pranë zonës industriale të Lushnjes ka dalë jashtë kontrollit paraditen e së premtes.
Flakët rrezikuan të djegin një zdrukthtari dhe një magazinë të pijeve freskuese.
Kanë qenë zjarrëfikësit, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë vënë nën kontroll flakët duke shmangur edhe dëmtimin e bizneseve pranë vatrës.
Pavarësisht ngjarjes, mësohet se autori i zjarrvënies është ende i lirë.
Edhe në qarkun e Lezhës, flakët e përmasave të mëdha kanë përfshirë ullishtet e fshatit katund i ri në Kurbin.
Flakët janë shfaqur rreth mesditës dhe janë përhapur ne një siperfaqe të konsiderueshme.
Zjarrfikësit shkuan në vendngjarje dhe punuan për shuarjen e zjarrit.
Disa banorë, pronarë të plantacioneve me ullinj ndihmuan forcat zjarëfikëse, por ishte e pamundur shuarja e flakëve.
Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa kërkohet ndërhyerje nga ajri në shuarjen e zjarrit që rrezikon përmasa dhe më të mëdha toke në zonën e kodrave të fshatrave Katund i Ri dhe Zheje në Kurbin.
