SPAK me mandat të kufizuar, Kraja propozon ndryshime: Kur drejtësia do jetë si në BE, prokurorët nuk do jenë në detyrë
Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëroi sot edhe dy prokurorë në SPAK, Prokuroria e Posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në përfundim të procesit të pikēzimit, KLP renditi prokurorët Adnan Xholi me 183 pikë dhe Dorina Bejko me 180 pikë.
Ky institucion tashmë ka në përbërje 15 prokurorë, nga 13 që ka pasur deri tani. Organika e prokurorisë së posaçme mbeti e pa plotësuar për një kohë të gjatë me numrin e plotë të prokurorëve pasi kandidatët duhej ti nënshtroheshin vettingut dhe më pas fazës së testimit nga KLP.
Emërimi i dy prokurorëve të rinj pritet që tashmë të ndihmojë sadopak në përballimin e ngarkesës me të cilën SPAK po përballet që pas krijimit për shkak të numrit të madh të dosjeve që na nën hetim.
“Dua të falenderoj KLP sot që më në fund u shtuan dhe dy prokurorë. Arritëm në 15. Ky numër duhej të kishte qenë që në hapjen e parë të SPAK, megjithatë, ia arritëm dhe kjo është fitore” tha Arben Kraja në tryezën e krijuar me rastin e 5 vjetorit të reformës në drejtësi.
Ku jemi?
Kraja nënvozi se SPAK po punon seriozisht për të çuar para ligjit me prova të gjithë të pandëshkueshmit.
“Struktura po bëhet më efikase dhe po jep produkte më konkrete. Përditë e më shumë SPAK është një partner më i besueshëm në raport ndërkombëtar. Grupi i parë i hetuesve të Byrosë së Hetimit është gati të nisë punë. Është një grup shumë efikas, shumë i mirë dhe me shumë vullnet për të pasur produkt e rezultat, dhe kemi shpresë në këtë drejtim. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se mes pritshmërisë dhe mundësisë për të realizuar janë dy koncepte të ndryshme. Pritshmëritë janë në bazë opinionesh ne punojmë në bazë të provash por kjo nuk na pengon ti shkojmë në fund rasteve, pavarësisht se kush do të jetë i përfshirë.”
Ambiente të reja
Në këtë tryezë u diskutua dhe për vijimsinë e kësaj reforme në 5 vitet e ardhshme.
Kreu i SPAK Arben Kraja vuri në dukje emergjencën për krijimin e ambienteve të reja nisur dhe nga struktura dhe organika.
“Ka ardhur koha për një ambient të përshtatshëm për Byronë” u shpreh Kraja.
Një tjetër sugjerim për të cilën Kraja kërkon zgjidhje është edhe mandati i prokurorëve.
“Duhet gjetur zgjidhje. Koncepti që lidhet me mandatet e kufizuar të ushtrimit të funksioneve të prokurorëve të SPAk dhe hetuesve të BKH. E gjithë kjo situatë nuk mund të zgjidhet me një strukturë e cila ka një mandat të shkurtër kohor, e cila nuk përputhet në asnjë mënyrë me nevojën. Nga ana tjetër faktorët ndërkombëtarë po investojnë me burime të pakufizuara qoftë financiare por edhe njerëzore për të përgatitur këtë strukturë për të qenë në nivelin e duhur për të dhënë rezultate. Në fazën e tretë të strategjisë do jetë faza që sistemi i drejtësisë do japë produkt në nivelin e kërkuar në standardin Europian, problemi është që kur të jetë faza e tretë asnjë nga prokurorët e SPAK-ut nuk do jetë në detyrë dhe asnjë nga hetuesit e brendshëm nuk do të jetë në detyrë. Kështu që mendoj është diçka që do jetë pjesë e diskutimeve.”
Sa i takon objektivit Kraja garantoi edhe një herë para ndërkombëtarëve se prioritet e kësaj strukture.
“ Në raport me të ardhmen prioritet dhe përparësi i kemi tërësisht të qarta. Në radhë të parë është lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe sekuestrimi i aseteve kriminale. Koncepti i pandëshkueshmërisë për arsye të lidhje politike, për arsye të suportit financiarë apo për arsye të rrezikshmërisë të personave me të cilët ne merremi do të marrë fund. Ne punojmë me parimin të gjithë anët e barabartë para ligjit dhe të jeni të sigurtë që kshu do vazhdojmë deri në fund.”
Ndërkohë kryeprokurori Olsian Çela kërkoi ndryshime në ligjin e shkollës së Magjistraturës.
Sipas ligjit të funksionimit të SPAK
Mandati i kreut të SPAK-ut është tre vjet dhe nuk ka të drejtë që të rizgjidhet për një mandat të dytë
Prokurorët e SPAK emërohen në detyrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për një mandat nëntëvjeçar.
Drejtori i BKH emërohet për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi një herë.
Zëvendësdrejtori emërohet nga Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka mandat 4-vjeçar dhe me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.