Të "thahesh" buzë detit, Dritan Leli: Kam 6 vjet që nuk bëj pushime në verë

Yldon Media Group me gjithë mediat e saj ka kontribuar në promovimin e turizmit vendas, duke filluar me Ilva Taren, emisionin "Alien" dhe së fundmi me Orën Verore.

Kryebashkiaku i Vlorës në një intervistë për gazetarin Ronaldo Sharka kujton  një nga ato momente.

Dritan Leli: Më ngacmove me Ilva Taren se vërtet ka qenë një nga emisionet e para që kemi bërë dhe ka qenë prezente në promovimin e Vlorës dhe kujtoj që në ditën që filluam regjistrimin e emisionit filluan pika shiu dhe u detyruam të zhvendoseshim nga aty diku tjetër.Janë ato emocionet që të jep çdo kontakt me median për të transmetuar ato që ndodhin në qytetin ku ti je duke jetuar, duke punuar dhe duke bërë detyrën e Kryebashkiakut.

Ndërsa është sezon vere, Leli thotë se ka 6 vite që nuk bën pushime në këtë stinë për shkak të angazhimeve në bashki.

E megjithatë kjo nuk e kufizon që të bëjë udhëtime jashtë qytetit por në funksion të punës.

Dritan Leli: Ndërsa për pushimet, u bën 6 vite që thuajse nuk pushoj, sidomos gjatë verës. Unë e konsideroj pjesën e lëvizjes për punë kur janë ditë pushimi.Jam i larguar nga puna por nuk quhem pushim, mjafton të kesh një celular në dorë dhe ti je gjatë gjithë kohës me të gjithë problematikat që qyteti ka, problematikat që shpesh herë qytetarët të sjellin në celularin tënd, të cilat përpiqesh ti zgjidhësh dhe jo gjithmonë kanë zgjidhjen që qytetarët meritojnë dhe të gjithë duam që t'u ofrojmë atyre.Megjithatë kam qenë njeri me fat. Në profesionin tim mjek kam pasur mundësi shumë të mira për të shëtitur, për të vizituar vende dhe pushimet nuk ishin asnjëherë vetëm një javë e vetme gjatë verës por ishin disa të tilla gjatë gjithë vitit që shfrytëzoheshin si udhëtime pune për të shkuar diku dhe pjesa e punës lidhej me familjen që mund të vinte dhe shoqëronte babain doktor që shkonte në një konferencë, kongres apo aktivitet tjetër, për të parë qytete të vendeve të ndryshme të botës.

Në detyrën e kryebashkiakut nuk ka një komoditet të tillë, mundësia, sidomos gjatë sezonit të verës, të lëvizësh nga qyteti është e vogël.Unë e kam bërë këtë gjë, edhe këtë vit kam qenë në lëvizje. Ato më duket sikur kanë qenë pushimet e kësaj vere. Kam shkuar, kam takuar disa kryebashkiakë të cilëve u kam prezantuar Vlorën, mundësinë që të krijojmë më shumë ura bashkëpunimi që të rrisim turizmin.Do të vazhdoj dhe gjatë këtyre ditëve me disa takime kryebashkiakësh në vendet fqinje sepse çdo promovim ka një vlerë.Para pak ditsh isha në një takim në bashkinë e Milanos.

Kemi bërë një projekt shumë të mirë të cilin e filluam pak kohë më parë në pastrimin e pyllit të Sodës dhe me kryebashkiakun biseduam që të kemi mundësinë e një projekti më të gjerë që të përfshijë maksimalisht sa të mundemi pjesë të pyllit të Sodës për reabilitimin e tij. Pylli i Sodës është një nga asetet e mëdha që qyteti ka pavarësisht se është i degraduar për arsye të ndërhyrjes jo në kohën e duhur, është lënë rreth 30 vite në harresë ndërkohë që duhet të ndërhyhej pas viteve '90 për të përmirësuar numrin e bimëve për hektarë që është tani i papranueshëm.Megjithatë prapë mbetet hapësirë e mirë për të bërë më të mirën. Të gjitha këto takime që lidhen me turizmin kryesisht janë në të mirën e qytetit, krijojnë ura komunikimi për të trokitur në dyert e duhura, partnerët e duhur për të pasur më shumë fonde dhe projekte për qytetin.

Edhe pse pandemia është ende nëpër këmbë, sezoni turistik duket premtues. Leli thotë se Vlora është një paketë turistike e plotë që ofron shumë në shumë pak kilometra katrorë.

Dritan Leli: Vlora është një paketë turistike e plotë që ofron shumë në shumë pak kilometra katrorë. Gjen detin Adriatik dhe detin Jon, një gji fantastik, ishullin e Sazanit, gadishullin e Karaburunit, një lumë që rrethon qytetin, Vjosa, i vetmi lumë i virgjër sot në Europë, lagunën e Nartës, këtë urë fantastike të veçantë. Zgjedhjet janë të larmishme, sipas buxhetit mund të shkojë aty ku mund të përballojë. Në rastorante në këtë zonë çmimet janë shumë konkurruese krahasuar me pjesën e Lungomares ku përgjithësisht janë restorante luksi dhe shërbime të një cilësie të lartë por të gjitha në fund përbëjnë paketën turistike të Vlorës e cila është përforcuar tanimë dhe me përmirësimin e  lëvizjes, pavarësisht se jo plotësisht e përfunduar. Rruga e by-passit, e cila sot ka përmirësuar ndjeshëm që në javën e parë të ekzistencës.