Më 1 shtator nis viti i ri shkollor/ Mësuesve mesazhe në celular: Vaksinohuni!
Ditën e sotme mësuesit kanë marrë në telefonin e tyre mesazhin ku i kërkohet të bëjnë vaksinën anti-Covid, në mënyrë që në muajin shtator, kur do nisë dhe viti i ri shkollor, të gjithë arsimtarët duhet të jenë të vaksinuar.
Në mesazhet e siguruar nga Ora News, shihet se mësuesve që nuk kanë bërë vaksinën u kërkohet të plotësojnë urgjentisht tabelën, e më pas të marrin dhe vaksinën kundër Covid-19.
“Edhe njëherë lexoni mire mesazhin të gjithë mësuesit që nuk kanë bërë vaksinën urgjent të plotësojnë tabelën!”
“Pershendetje. Brenda dites se sotme do te dergoni në email listen e mesuesve qe nuk jane vaksinuar. Ju lutemi sqaroni mesuesit se muajin Shtator 2021 i gjithe stafi drejtues, mesimor dhe ai ndihmes i institucioneve arsimore duhet te jete i vaksinuar.”- janë mesazhet që po u dërgohen mësuesve.
Sqarimi i Drejtorisë
Drejtoria Arsimore e Tiranës sqaron mesazhin që u është dërguar mësuesve për vaksinimin anticovid.
Ky institucion sqaron se mesazhi ishte kujtesë për ata që nuk e kanë kryer vaksinën në një kohë si kjo e sotmja kur kanë mundësi të zgjedhin dozën e vaksinës.
Ata nënvizojnë se “në asnjë mënyrë nuk detyrojnë askënd për të bërë vaksinën dhe nuk do të ketë penalitete për ata që nuk e kanë kryer”
Gjithashtu sqaron se ky mesazh është dërguar nga drejtori shkolle të caktuara për stafin e arsimtarëve të tyre.
Shkolla këtë vit do të fillojë me 1 shtator.

