Breshëri dëmton të mbjellat në Bulqizë, banorët: Të vejë dorë qeveria për ne fukarenjtë
Reshjet e breshërit kanë shkaktuar dëme të mëdha në Bulqizë. Pamjet tregojnë të mbjellat e banorëve në fshatin Peladhi të Njësisë Administrative Zerqan.
Banorët e këtij fshati shprehen se në vetëm 5 minuta breshëri shkaktoi dëme të mëdha në frutikulturë por edhe tek perimet apo tek kulturat e tjera bujqësore.

Situata të tilla sipas banorëve janë të përsëritshme pothuajse çdo vit, duke bërë që dëmet të jenë të mëdha.
"Specat, domatet, rrushët, mollët të gjitha kanë shkuar dëm. Na rroftë mundi që kemi punuar. Çdo gjë është shkatërruar, misri, groshët."
"Shiu i fundit na ka shkaktuar shumë dëme. Na ka prishur të gjithë bujqësinë, ne aty i kemi shpresat. Na ka bërë shumë dëm. Të vejë dorë qeveria për ne, për fukarenjtë."
Breshëri i ditëve të fundit ka prekur fshatra të veçanta ndryshe nga reshjet e shiut që përfshinë të gjithë territorin e qarkut Dibër.
