Edhe strehimi jepet me koncesion/ Qeveria miraton VKM për procedurat mes bashkive dhe subjekteve private
Qeveria ka vendosur ta japë me koncesion edhe strehimin pas aplikimit të skemës së partneritetit publik-privat në ndërtimin e rrugëve, shërbimeve spitalore, aeroporte dhe porte.
Në mbledhjen e datës 22 korrik është miratuar një vendim që u jep bashkive mundësinë e përzgjedhjes dhe kontraktimit të firmave private për ndërtimin e banesave.
“Njësitë e vetëqeverisjes vendore analizojnë paraprakisht dhe bëjnë planifikimin e zonave që do të zhvillohen për strehim në territorin e tyre, mbështetur në planin e detajuar vendor të zhvillimit urban të miratuar ose, në mungesë të tij, në planin e përgjithshëm vendor, në nevojat për ndërtim banesash në përgjithësi dhe ato sociale në veçanti, si edhe në fondet e përcaktuara për të përballuar zhvillimin e zonës me të ardhurat e veta.”
Bashkitë në njërën anë duhet të vlerësojnë nevojat e tyre për strehim dhe në anën tjetër të përllogarisin e të përcaktojnë tokën që kanë në dispozicion për të zhvilluar projekte të kësaj natyre.
Pushteti lokal duhet të ngrejë një grup pune që do të kryejë studimin paraprak të projekteve për zhvillimin e zonës dhe në përbërje të tij janë ekspertë nga bashkia që janë përgjegjës për strehimin, buxhetin, urbanistikën dhe pronat.
Qeveria ka përcaktuar gjithashtu dhe mënyrë se si do të bëhet procedura e përzgjedhjes së subjektit privat.
Në dokumente theksohet se në rastin e financimit të banesave që ndodhen në truallin në pronësi të bashkisë nga kompanitë dhe që kanë për qëllim shkëmbimin e vlerës së truallit me sipërfaqe ndërtimi, kjo do të kryhet vetëm me konkurrim.
Sipas vendimit procedura konkurruese synon që ky shkëmbim të bëhet sipas vlerës më të lartë kur ndërtimi realizohet me financim të subjekteve private.

