Dasmat kthejnë koronavirusin në Kukës e Has, shtohen infektimet
Kukësi është një nga qarqet me numrin më të ulët të vdekjeve nga Covid në vend, ndërsa pas gati dy muajsh pa asnjë rast pozitiv, infeksionet janë rritur ditët e fundit. Ekspertët thonë se kjo situatë është krijuar nga ardhja e emigrantëve, sezoni i dasmave por edhe interesi i ulët i popullatës për vaksinimin.
Infektimet nga koronavirusi po shtohen në qarkun e Kukësit pas pothuajse dy muajsh pa asnjë rast. Më shqetësuese është gjendja në Has, ku vetëm dy ditët e fundit janë identifikuar 11 raste të reja infektimesh me koronavirus.
Hasan Halilaj Drejtor i Njësisë Vendorë të Kujdesit Shëndetësor Kukës, thotë se kthimi i emigrantëve pranë familjeve, dasmat dhe grumbullimet mund të jenë shkak për përhapjen e koronavirusit.
"Kohët e fundit kemi shumë emigrantë që vijnë të takojnë familjet e tyre. Duhet të jemi të vëmendshëm ndaj këtij fenomeni. Por është dhe problemi i dasmave dhe i tubimeve familjare, se ne mos të harrojmë që Covid-19 është i pranishëm dhe në Kukës tashmë."
Halilaj tha se po punohet për sensibilizimin e banorëve për t’iu nënshtruar procesit të vaksinimit si e vetmja mundësi e mbrojtjes por edhe parandalimit për përhapjen e Covid-19, ndërsa tregon efektivitetin e vaksinave që po aplikohen në vendin tonë.
"Brenda një familjeje, 1 person që ka bërë vaksinën nuk ka dalë pozitiv, por dy anëtarët e familjes kanë dalë pozitiv. Kjo tregon se vaksina është e domosdoshme dhe nuk do të bëhet asnjë lloj tolerimi në këtë pjesë."
Rënien e interesit qytetar e lidh me mungesën e ndërgjegjësimit për t’u vaksinuar duke theksuar se nuk jemi në luksin e përzgjedhjes së llojit të vaksinës.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në vendin tonë aktualisht janë aktivë 232 persona me koronavirus ndërsa qarku i Kukësit është i katërti me 21 raste aktive. Që nga shfaqja e pandemisë në Kukës, Has e Tropojë kanë humbur jetën 34 persona.


