Çmimi i karburanteve/ Lazimi: Shqetësim mbetet cilësia, do ketë rritje të çmimeve në sektorë të tjerë
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, eksperti i ekonomisë Majlind Lazimi, ka komentuar rritjen e çmimit të karburantit.
Ai shprehet se krahas çmimit të karburantit i cili është i lartë, problem mbetet edhe cilësia e tij.
Më tej ai shton se barra fiskale mbi çmimet e karburantit në vendin tonë është më e larta se në rajon.
“Kjo ka qenë një problematikë e vjetër dhe herë pas herë bëhet pjesë e diskutimeve publike dhe me të drejtë, sepse ka të bëjë drejt përdrejtë me xhepat e qytetarëve, me shpenzimet e familjes dhe kohët e fundit e shikojmë krejtësisht të pajustifikuar rritjen e çmimit të karburanteve, që në njëfarë mënyrë nuk është se justifikohet në mënyrë të argumentuar nga ndryshimet e konjekturave ndërkombëtare të çmimit të karburanteve, nga ana tjetër shqetësim i madh ka qenë dhe mbetet cilësia e karburanteve, padyshim që këtu kanë të bëjnë edhe elementët mjedisorë, të cilat ne nuk mund ta kualifikojmë me blerjet monetare, por është e ndjeshme qoftë për shëndetin e qytetarëve, qoftë edhe për ndotjen e ambientit në tërësi.
Kur bëhet fjalë për tregun e karburanteve, është një treg në rastin më të mirë oligopol, së dyti kompozimi i çmimeve të karburantit që një barrë të madhe e ka edhe taksa. Ne kemi një taksë më të lartë se vendet e rajonit. Barra fiskale mbi çmimet e karburanteve mbetet një nga më të lartat në rajon.”
Lazimi shprehet se edhe pse Shqipëria prodhon naftë, nuk ka ende një rafineri të mirëfilltë. Ai shton se nëse rritet çmimi i naftës do të rriten edhe çmimet në sektorë të tjerë.
“Shqipëria përveçse është një vend që prodhon, pavarësisht cilësisë së naftës, ne nuk kemi akoma një rafineri të mirëfilltë të naftës. Në kushtet normale duhet të funksiononte. Së dyti ka të bëjë me pjesën e inspektimin e çmimit, dhe së treti cilësia e karburantit është një element shumë i rëndësishëm, i cili në njëfarë mënyre është më e kushtueshme se vet çmimi i karburantit. Duhet të kemi parasysh se karburanti është një nga imputet kryesore të prodhimit. Kjo ka impakt në rritjen e prodhimeve apo rritjen e çmimeve në sektor të tjerë. “
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini.

