"Zhvatësi", Molliqaj me shokë arrestohen pasi mbushën me grabite makinat e zyrtarëve
Aktivistë dhe aktiviste të Partisë Socialdemokrate (PSD) përfunduan në prangat e policisë pas një aksioni të ndërmarrë pasditen e sotme në shenjë protestë ndaj taksës shtesë për regjistrimin e makinës.
Ata mbushën mjetet e parkuara në hapësirat pranë ndërtesës së qeverisë me shkrimin "Zhvatësi". I njëjti epitet u ngjit edhe me etiketa.
Mes të arrestuarve janë Frashër Krasniqi, Nol Nushi e Dardan Molliqaj.
“Sot rreth orës 12:00 në rrugën “Ukshin Hoti” në Prishtinë, një grumbull personash kanë zhvilluar një aktivitet të paparalajmëruar. Si pasojë e veprimeve të tyre me shkruarjen e grafiteve, janë dëmtuar disa vetura. Të njëjtit vazhdimisht kanë shfaqur shenja të agresivitetit, veprimeve të ulëta të kontaktit fizik me pjesëtarë të policisë, shpërfilljes së urdhrave të zyrtarëve policor si dhe pengim të tyre në kryerjen e detyrës zyrtare. Duke u gjendur në rrethana të tilla, policia ka shoqëruar në stacionin policor tetë prej tyre dhe aktualisht të njëjtit janë duke u proceduar në fazën preliminare. Së këndejmi është njoftuar edhe prokurori i shtetit i cili bashkërisht me policinë po koordinon veprimet vijuese që konsistojnë në zbardhjen e të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, përpara masave të mëtejme në procedurë" njoftoi policia.
Në lidhje me këto arrestime, kanë reaguar edhe nga PSD-ja.
“Gjatë aksionit të sotëm për të shfaqur zhvatjen që pushteti i Kurtit po e bën ndaj qytetarëve, duke taksuar shtesë regjistrimin e makinës e duke krijuar monopol për një kompani, policia ndërhyri dhunshëm për ta ndërprerë aksionin duke arrestuar e lënduar brutalisht aktiviste e aktivistë të PSD-së”, thuhet në postimin e PSD-së.


