Kosovë/ 27 policë të arrestuar, në 6 muaj janë pezulluar 65 efektivë për tejkalim të kompetencave
Në 6 muajt e fundit në Kosovë janë arrestuar 27 efektivë polciie, ndërsa janë pezulluar 65 të tjerë.
Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe keqpërdorimi i autorizimeve zyrtare, janë dy veprat më të shpeshta për të cilat po hetohen uniformat blu në Kosovë.
Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj deklaron se janë 358 raste penale duke u trajtuar nga departamenti i hetimeve, duke pranuar se ka rritje të ankesave të qytetarëve, por edhe masa ndaj policëve.
“Ka një rritje edhe të numrit të veprimeve hetimore dhe suspendimeve që kemi ndërmarrë këtë vit, si Inspektorat i Policisë. Janë suspenduar 65 punonjës të policisë për këto raste që janë trajtuar," tha ai.
Hodaj thotë se krahasuar me vitin e kaluar janë rreth 200 ankesa më shumë.
“Prej zyrtarëve të arrestuar dhe të suspenduar janë për vepra të ndryshme penale. Por, kryesisht janë për veprën për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe për keqpërdorim i autorizimeve zyrtare apo pozitës zyrtare," tha Hodaj.
Të premten gjatë një aksioni të Partisë Socialdemokrate, Policia e Kosovës ka arrestuar aktivistët e kësaj partie. Megjithatë ata janë ankuar për përdorim të dhunës.
“Do të vlerësojmë dhe analizojmë se a ka pasur keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo ka pasur tejkalim të përdorimit të forcave, kjo do të vlerësohet nga hetuesit tanë në bashkëpunim edhe me punëtorët përkatës, nëse vlerësohet që ka elemente sigurisht që do të trajtohet," u shpreh Hodaj.
Gjatë vitit 2020, janë arrestuar 32 punonjës policorë të dyshuar për vepra penale, ndërkaq janë suspenduar 83 të tjerë.
