Përmbytjet nga reshjet në Kosovë, ushtria në gatishmëri
Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, ka thënë se FSK ka ngritur gjendjen e gatishmërisë së njësive të saj të para reaguese, në rast të nevojës, pas reshjeve që kapluan vendin.
Ai thotë se këtë ja ka bërë të ditur edhe Ministrit të Brendshëm , Xhelal Sveçla.
"Qytetarë të dashur të vendit tim,
Situata meteorologjike që nga dita e djeshme është në monitorim dhe vlerësim permanent të plotë të autoriteteve profesionale të FSK-së.
Sot kam kontaktuar direkt, ministrin Sveçla dhe i kam komunikuar se me direktivën time, FSK ka ngritur gjendjen e gatishmërisë së njësive të saj të para reaguese, në rast të nevojës.
Bazuar në Sistemin e Menaxhimit të Integruar të Emergjencave dhe Planin e Reagimit Kombëtar, FSK është e gatshme të realizoj misionin kushtetues dhe detyrat e saj ligjore në mbështetje ushtarake të autoriteteve civile qendrore dhe lokale.
Gjithashtu, jemi në gatishmëri të plotë që me të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale në dispozicion të ofrojmë shërbimin vetëmohues për ndihmë qytetarëve tanë," shkruan Mehaj në Facebook.


