Kosova riatdheson edhe 11 shtetas të saj nga Siria
Kosova ka riatdhesuar së fundi nga zonat e luftës në Siri edhe 11 qytetarë të saj. Në total numri i qytetarëve të Kosovës të kthyer nga zonat e konfliktit ka arritur në 400 ndërsa operacioni i fundit është përshndetur edhe nga Ambasada amerikane në Prishtinë, e cila e konsideron Kosovën si lidere në luftën ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit në rajon.
Shteti i Kosovës ka arritur të riatdhesojë nga Siria dhe Iraku rreth 400 qytetarë të saj që prej vitit 2011, kur shpërtheu konflikti në këto zona.
Rasti më i fundit është shënuar të shtunën, në 17 korrik, ku 11 qytetarë të tjerë u kthyen në Prishtinë.
Lajmin e mirë për riatdhesimin e një gruaje dhe 10 burrave, e konfirmoi Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili tha se qeveria bëri detyrën që i takonte.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku nëpërmjet një postimi ne Twitter tek Ambasada Amerikane në Kosovë, përgëzuan Kosovën për këtë hap madhor që e bën lidere në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.
“Kthimi i këtyre shtetasve demonstron vullnetin e Kosovës që të marrë përgjegjësi për shtetasit e saj, teksa vendos shembull edhe për të tjerët. Kosova është lidere në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit”.
Gjithsesi riatdhesimi nuk ka përfunduar plotësisht. Sipas policisë së Kosovës, në fund të muajit të kaluar, në Siri dhe Irak kanë vazhduar të jenë rreth 100 shtetas kosovarë, në mesin e tyre burra, gra dhe fëmijë.
Nga të kthyerit, 124 janë burra, 38 gra dhe 80 fëmijë. Ndërsa rreth 100 kanë vdekur atje.
Në muajin prill të vitit 2019, Kosova u bë ndër vendet e para në botë që riatdhesoi numër aq të madh të qytetarëve që ishin të përfshirë në luftën e Sirisë.
Shqipëria, Kosova por edhe disa vende të rajonit u prekën nga fenomeni i largimit të qytetarëve të saj drejt zonave të luftës në Siri dhe Irak.
Dërgimi i tyre u bë nga persona që në disa raste janë proceduar penalisht për veprimtari ekstremiste, duke shfrytëzuar besimin fetar.

