Kurti-Vuçiç, mesazhi i minutës së fundit nga Borell: Kosova dhe Serbia të mbyllin kapitullin e së shkuarës
Shefi i diplomacise evropiane, Josep Borrell, ka bërë një përpjekje të minutës së fundit për të bindur kryeministrin e Kosovës Kurti dhe presidentin serb Vuçiç, të shfrytëzojne takimin e sotëm për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Ai tha se palët duhet të heqin dorë nga e shkuara, sado e dhimbshme të jetë ajo.
Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, përpara takimit të të dytë ndëmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se pret që Kosova dhe Serbia t’i qasen në mënyrë konstruktive dhe pragmatike raundit të ri të dialogut, që ndërmjetësohet nga BE-ja.
Borrel tha se shpreson që ky takim të jetë më i frytshëm, sa i përket rezultateve sesa takimi i parë që u mbajt në qershor.
“Kosova dhe Serbia kanë nevojë që përfundimisht të mbyllin kapitullin e të kaluarës së dhimbshme përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme mbi normalizimin e marrëdhënieve dhe të shikojnë drejt të ardhmes evropiane, për qytetarët e tyre. E ardhmja është më e rëndësishme se e kaluara. E kaluara është e rëndësishme, por ne duhet të shikojmë përpara”.
Para takimit trepalësh, Kurti e Vuçiç kanë zhvilluar takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ky është takimi i dytë mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit Vuçiç.
Biseda e parë mes tyre u zhvillua më 15 qershor. Në këtë mënyrë rifilloi zyrtarisht, procesi i dialogut, i cili u ndërpre në shtator të vitit 2020.
Takimi i parë tregoi se palët kishin dallime të mëdha, megjithatë të dy zyrtarët u pajtuan që të vazhdojnë takimet.
Beogradi zyrtar insiston që Prishtina të zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Ndërkaq, Prishtina zyrtare ka theksuar se një numër i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, nuk po zbatohen si duhet nga Beogradi.
Kosova, në këtë drejtim, veçmas ka përmendur marrëveshjen për kontrollin e kufirit, atë për njohjen e diplomave, për certifikatat e mallrave, lirinë e lëvizjes si dhe marrëveshjen për fusnotën.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, javën e kaluar tha se delegacioni serb po shkon në këtë takim në Bruksel me “besimin më të madh” , por shtoi se nuk ishte i sigurt nëse përparimi është i mundur.
Ky do të jetë takimi i fundit i nivelit të lartë në kuadër të dialogut për pjesën e parë të këtij viti, pasi në institucionet evropiane zyrtarisht nis sezoni i pushimeve verore.

