"Mykonos nuk mund të jetë ishulli i vetëm ku nuk lejohet muzika", kryebashkiaku kundër qeverisë

Greqia ka vendosur masa më të ashpra në një prej ishujve më të vizituar nga turistët gjatë sezonit të verës për shkak të rritjes së numrit të infektimeve me koronavirus.

Të shtunën autoritetet kanë vendosur që të ndalojnë muzikën në bare dhe restorante dhe të vendosin orë policore gjatë natës në ishullin Mikonos, një ishull turistik që vizitohet nga më shumë se një milion persona çdo verë.

Autoritetet tanë se kufizimet në Mikonos do të jenë në fuqi të paktën deri më 26 korrik.

Ministria e Mbrojtjes Civile tha se ora policore do të fillojë në 01:00 pas mesnatës deri në 06:00, ku përjashtim do të bëjnë personat që u duhet të lëvizin për të shkuar dhe ardhur nga puna si dhe për të shkuar në spital.

Ekonomia greke varet nga turizmi dhe shteti ka nevojë të ketë një sezon të mirë turistik, pasi më 2020, për shkak të pandemisë nuk pati turistë, por javëve të fundit, numri i rasteve me COVID-19 është rritur, duke shtyrë qeverinë që ta bëjë të detyrueshme vaksinimin kundër COVID-19 të punëtorëve shëndetësorë si dhe ka vendosur masa të reja në mbarë vendin.

 Në Greqi, sipas masave në fuqi, në restorante dhe dyqane të tjera, hyrja brenda iu lejohet vetëm klientëve të vaksinuar.

Vendimi  autoriteteve qendrore ka sjellë edhe reagimin e pushtetit lokal në ishull.

Kryetari i Mikonos, Konstantinos Koukas, tha se ishte e padrejtë që vetëm në këtë ishull të vendosen këto masa. “Mikonos nuk mund të jetë ishulli i vetëm ku nuk lejohet muzika. Kjo gjë do të bëjë që vizitorët të shkojnë në ishuj të tjerë”, tha ai.

Në muajin maj, Qeveria greke ka ndaluar muzikën në bare dhe restorante me qëllim që njerëzit të mos grumbulloheshin dhe të shpërndanin më lehtë virusin.