Kurti në Bruksel: Propozova nënshkrimin e Deklaratës së Paqes Kosovë-Serbi, Vuçiç e refuzoi pa e lexuar
Mbyllet pa marrëveshje takimi i dyte i Brukselit, Prishtine-Beograd me ndërmjetësinë e Bashkimit Europian.
Mesazhet e minutës së fundit të Josep Borrell nuk dhanë asnjë efekt në këtë tryezë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se i kishte ofruar një draftmarrëveshje me 6 pika Presidentit serb, por ky i fundit i kishte refuzuar ato pa i parë.
“Unë sot propozova fillimisht një marrëveshje të shkruar me gjashtë nene, ose Deklaratë të Paqes mes Kosovës dhe Serbisë, që u refuzua. Atë çfarë kisha kërkuar herën e kaluar e kam përgatitur në mënyrë të balancuar me një tekst me gjashtë nene, mirëpo u refuzua ende pa u lexuar. Kjo tregonte mosgatishmërinë për marrëveshje pasi u refuzua pa u lexuar fare. Gjithashtu zëvendëskryeministri Besnik Bislimi lexoi 11 pika qe paraqesin 11 barriera që i vendos Serbia ndaj Kosovës në aspektin tregtar edhe ne kemi kërkuar që ato të eliminohen, por nuk dëshironin që të dëgjonin as për këtë.
Kur ishte dakordimi për një deklaratë të përbashkët ne ishim dakord për pikën që në fund të muajit gusht të takohen udhëheqësit e delegacioneve tona dhe që gjithashtu të ketë një takim tjetër në muajin shtator midis krerëve të dy vendeve tona dhe insistuam që aty ku shprehet zotimi ynë për të pagjeturit të futet edhe togfjalëshi ‘ballafaqimi me të kaluarën’ dhe kjo u pranua në një mënyrë të zbutur nga ndërmjetësi Josep Borrell, mirëpo u refuzua nga presidenti i Serbisë që nuk pranoi asesi të futet togfjalëshi ‘ballafaqimi me të kaluarën’.
Nuk e kuptoj pse duhet t’i frikësohemi kaq shumë ballafaqimit me të kaluarën kur e dimë se problemet i kemi nga e kaluara dhe me vetë faktin që merremi me çështjen e të pagjeturve që janë zhdukur në mënyrë të dhunshme ne po merremi me të kaluarën. Është për të ardhur keq që sot s’e patëm një dakordim për një deklaratë të përbashkët me ç’rast do ta kishim edhe togfjalëshin ‘ballafaqimi me të kaluarën’ të cilin e pranoi ndërmjetësi Borrell, por nuk u pranua nga pala serbe e cila e kundërshtoi shumë ashpër”.
Edhe me i indinjuar u shfaq pas tryezës, presidenti serb Aleksandër Vuçiç .
Ai tha se nuk kishte parë ndonjëherë një takim kaq të keq, ndërsa ishte pajtuar me disa propozime të emisarëve europiane Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.
“Mendova se ishte e pamundur të kisha një takim më të keq dhe sot u binda se ishte e mundur. Ne morëm propozime nga BE-ja që ishin harmonizuar me negociatorët tanë kryesorë. Serbia gjithashtu ra dakord plotësisht me atë që e propozoi BE-ja.Aty ishin tri pika. Të intensifikohen përpjekjet e përbashkëta në identifikimin e personave të zhdukur, të përmbahemi nga situatat e mëtejshme që mund t’i rrisin tensionet në terren dhe që negociatorët të takohen rregullisht”.
Vuçiç deklaroi se Serbia pranoi plotësisht dhe pa asnjë vërejtje disa propozime të palës së Kosovës, ndërsa tha se “shqiptarët nuk dëshironin” e për këtë fajësoi kryeministrin Kurti, duke thënë se është kthyer në shekullin e 19.
“Është veçanërisht interesante që ata nuk donin asgjë tjetër. Ata kushtëzuan me kritere të reja gjatë gjithë kohës. Prezantimi i tyre ishte se Serbia është fajtore për tri gjenocidet në Kosovë. Pastaj ai na shpjegoi se emrat shqiptarë tërheqin emra nga toponimet në Serbi, ju mund të besoni se njeriu pas 150 vjetësh flet për këto”.
Kjo ishte tryeza e dyte e dialogut qe pas ngrirjes se bisedimeve, e cila përveç dështimit nuk dha sinjale për vazhdimësi të procesit.
Disa nga faktorët politikë në Prishtinë kanë kërkuar ndërhyrjen direkte të Shteteve të Bashkuara në këtë dialog pas zvarritjes pa fund të procesit.
