"Investimet në ujësjellës nuk duhet të sjellin rritje të çmimit të ujit", Çoçoli: Shumica e tenderave kanë fitues të paracaktuar
Eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News foli për arrestimet e fundit të SPAK dhe abuzimet me tendera nga emra zyrtarësh.
Sipas tij shumica e tenderave e kanë të paracaktuar fituesin dhe nuk zhvillohen me garë të ndershme.
Nëse flitet për arrestimet e SPAK, Çoçoli tha se SPAK ka zbuluar vetëm majtën e ajsbergut.
Çoçoli: "Nëse flasim për shifra, tek ne tenderohet rreth 2 miliard euro në vit në nivel qendror. Ndërkohë që tek pushteti vendor janë 220 milionë euro. Gjithnjë në këto 30 vjet kemi një sëmundje që quhet fondi limit. Kjo tregon që konkurrenca është vrarë, nuk ka garë reale në tenderat e zhvilluar dhe në shumë raste fituesi është i paracaktuar.
Nëse flasim për dëme për shkak të arrestimeve të SPAK-ut ne kemi një tender të zhvilluar në bashkinë e Lushnjes që e dimë që është në vlerën e 250 milion eurove. Nuk mund të flitet se SPAK-u zbuloi dëm ekonomik, SPAK zbuloi majën e ajsbergut. Tenderat tonë kanë jashtëzakonisht shkelje dhe aty formohet dëmi ekonomik ndaj të gjithë neve."
Një tjetër problematikë është edhe rritja e çmimit të ujit, e cila është justifikuar me rritjen e cilësisë. Sipas Çoçolit investimet në ujësjellës nuk duhet të sjellin patjetër rritje të çmimit të ujit. Furnizimi me ujë të pijëshm është një shërbim publik që duhet vijuar subvencionimi dhe çmimi duhet të ulet dhe të bëhet i përballueshëm për çdo qytetar, sipas tij.
Çoçoli: "Në rast e uji shitet si të ishte një mall në treg, atëherë do të kemi çmimet që kemi tani dhe që janë shumë të kripura për qytetarët e thjeshtë. Në këtë kuptim unë do të thoja që është një politikë e gabuar që për të mbuluar shpenzimet për ujësjellësin, investimet që kryhen duhet të shtrenjtohet çmimi i ujit.
Ka ende shumë për të bërë edhe për ujin e keqpërdorur, duhet bërë një vetting i mirëfilltë në këtë fushë sepse ne si qytetarë po paguajmë shumë më tepër se ç'kemi paguar më parë, cilësia nuk mund të justifikohet. Ky është një shërbim publik që duhet vijuar subvencionimi dhe çmimi duhet të ulet dhe të bëhet i përballueshëm për çdo qytetar. Ky çmim është të paktën 40% abuziv, jo vetëm për faktin që nuk kemi ujë gjithë ditën, por nga matjet dhe analizat cilësia e ujit nuk është në nivelin e kërkuar."
Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku
