Para droge? SPAK kërkon konfiskimin e hotelit dhe pishinës në Sarandë, në pronësi të Armand dhe Gerti Markut

Prokuroria e Posaçme kërkoi konfiskimin në gjykatë për një hotel, dy troje dhe një pishinë në zonën turistike të kanalit të Çukës në Sarandë. Këto pasuri së bashku me një njësi shërbimi me vlerë mbi 100 mijë euro në rrugën "Don Bosko" në Tiranë, sipas SPAK, dyshohet se janë pasuri të vendosura nga aktiviteti kriminal i shtetasve Armand dhe Gerti Marku, të shpallur në kërkim në Itali.

Prokuroria e Posaçme SPAK kërkon konfiskimin e tri pasurive të paluajtshme mes të cilave edhe hotel dhe pishinë në Sarandë, pasi rezultojnë në emër të dy personave të akuzuar për trafik droge jashtë Shqipërisë.

Në një njoftim zyrtar SPAK bëri me dije se ka vendosur sekuestron ndaj një trualli, me sipërfaqe totale 688 m2, si dhe objektin e ndërtuar mbi të, hotel “Harbour”, në zonën “Turizëm Kanali i Çukës” Sarandë, në pronësi të shtetasit Petro Branko.

Po kështu është sekuestruar edhe pasuria e paluajtshme e llojit truall, me sipërfaqe 688 m2, së bashku me objektin përkatës të ndërtuar mbi të një pishinë, e ndodhur në zonën “Turizëm Kanali i Çukës” Sarandë, si dhe njësia e shërbimit, me sipërfaqe 51 m2, në rrugën "Don Bosko", Tiranë, e blerë në vitin 2017 me çmim 105 000 euro.

Sekuestrimi i këtyre pronave është bërë në kuadër të hetimit pasuror ndaj shtetasve Armand Marku dhe Gerti Marku, si dhe familjarët e afërt të tyre.

Shtetasi Armand Marku, është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2017 gjykata e Milanos e ka dënuar me gjashtë vjet e dy muaj heqje lirie për veprat penale “Trafikim narkotikësh” dhe “bashkëpunim në krim”.

Po ashtu shtetasit Armand Marku dhe Gerti Marku, (Ledio Hallkokondi) janë shpallur në kërkim pasi gjykata e Firences, kanë lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale “Pjesmarrje në Organizatë Kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Prokuroria bën të ditur se ka dyshime se pasuritë janë vendosur nga aktiviteti kriminal pasi nuk justifikohen me burime të ligjshme.