SPAK merr në hetim ish zv/ ministren e Brendshme Rovena Voda, gjykata i cakton "arrest shtëpie"

Ish zv. ministrja e Brendshme Rovena Voda është vënë në pranga me urdhër të SPAK, pasi Gjykata ka vendosur ndaj saj masën arrest shtëpie për akuzën e korrupsionit.

Masa e sigurisë është ekzekutuar të martën nga efektivat e policisë së shtetit.

Sipas deklaratës së SPAK, Voda akuzohet se ka pranuar dhe ka marrë shpërblime të paligjshme nga dy qytetarë të cilët janë vënë në pranga në të njëjtin operacion.

Më konkretisht Prokuroria thekson se ka nisur procedimin penal të vitit 2021 me akuzën e "ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që kryejnë funksione publike."

Në bashkëpunim me policinë, SPAK thekson se ka mbledhur të dhëna e prova që krijojnë dyshime të arsyeshme se Rovena Voda në cilësinë e zv. ministres së Brendshme ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe material të padrejta nga shtetaset Majlinda Hasani dhe Florida Beu.

SPAK bën të ditur se ish-zv. ministrja i ka kryer aktet për të cilat akuzohet në këmbim të premtimit për punësimin e shtetases Florida Beu përmes favorizimit të padrejtë të saj në procedurën e punësimit në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive.

Në kuadër të këtij procedimi SPAK bën me dije se ka kërkuar në Gjykatë masën e sigurisë arrest shtëpie për ish-zv. ministren Rovena Voda dhe shtetaset Florida Beu dhe Majlinda Hasani. Rovena Voda ka mbajtur funksionin e numrit dy të ministrisë së brendshme për një periudhë tri vjeçare.

Ajo është emëruar në pozicionin e zv. ministres së Brendshme në 22 maj të vitit 2017 ndërsa është larguar nga detyra në korrikun e vitit 2020.

Një nga angazhimet kryesore publike të Rovena Vodës në detyrën e zv. ministres së brendshme ishte pjesëmarrja në shtabin që u ngrit në qarkun e Durrësit për menaxhimin e situatës së krijuar nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019.

SPAK merr në hetim ish zv/ ministren e Brendshme Rovena Voda, gjykata i