Nga Tepelena në Lushnje për të vjedhur kamionçina, dy të rinj në pranga, njëri në "arrest shtëpie" për kanabis
Dy të rinj, njëri prej të cilëve në "arrest shtëpie" ranë në prangat e policisë së Lushnjes pasi i vodhën automjetin një shtetasi.
Nga ana e bluve u sekuestruan automjeti i vjedhur dhe një automjet tjetër që përdorën autorët për kryerjen e vjedhjes.
Të arrestuarit janë:
Andi Orucai, 19 vjeç, banues në Tepelenë, i dënuar më parë për veprat penale "Vjedhja" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve";
Mariglen Kondi 25 vjeç, banues në Tepelenë, i cili ishte me masë sigurie "Arrest në shtëpie" për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike".
Policia ishte njoftuar në orët e para të mëngjesit nga shtetasi N. K., se në fshatin Eskaj, Lushnjë, i kishin vjedhur automjetin tip kamionçinë “Ford Tranzit” që e kishte lënë të parkuar.
Menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnje kanë organizuar punën për identifikimin e autorëve dhe gjetjen e automjetit.
Falë punës së mirorganizuar, shërbimet e Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, kanë bërë të mundur që brenda një kohë të shkurtër të identifikojnë dhe të arrestojnë në flagrancë dy autorët e dyshuar, si dhe të bllokojnë automjetin e vjedhur dhe një automjet tjetër që përdorën autorët për kryerjen e kësaj vjedhjeje.
Në vijim të veprimeve hetimore, Policia zbardhi dhe 3 raste të tjera të vjedhjes të automjeteve të ndodhura më parë që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.
Konkretisht dy të rinjtë janë dhe autorë të dyshuar edhe të vjedhjes të 3 kamionçinave, konkretisht në datën 24.02.2021 në fshatin Hysgjokaj, në datën 26.03.2021 në fshatin Gjuzaj dhe në datë 08.05.2021, në fshatin Konjat.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në qarkun e Fierit, në të cilat mund të jenë të implikuar këta shtetas.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.
