“Më vjen keq për akuzat e shpifura”, Xhaçka reagon për padinë ndaj Sorecës: Nuk heziton kurrë të kritikojë qeverinë për gabimet

Ministrja për Punët e Jashtme Olta Xhaçka ka reaguar në lidhje me padinë e bërë një ditë më parë, 12 korrik nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar në SPAK ndaj ambasadorit të BE në Tiranë, Luigi Soreca.

Xhaçka përmes një postimi në rrjetin social Twitter shkruan se ambasadori Soreca  është një mik i mirë i Shqipërisë dhe shqiptarëve për integrimin dhe që nuk heziton të kritikojë qeverinë për gabimet.

"Ambasadori Soreca  është një mik i mirë i Shqipërisë  dhe shqiptarëve. Një mik që ka shkuar përtej thirrjes së detyrës për të ndihmuar shqiptarët në pasojat e tërmetit të vitit 2019 dhe në trajtimin e pandemisë Covid-19  dhe pasojave të saj.

“Një mik i vërtetë që ka mbështetur Shqipërinë dhe integrimin, ndërsa nuk heziton kurrë të kritikojë qeverinë dhe politikën për gabimet e tyre. Më vjen keq për akuzat e shpifura ndaj tij. Sigurisht që Ambasadori Soreca gëzon respektin dhe mbështetjen e shumicës së popullit shqiptar," shkruan Xhaçka në Twitter.