Dy herë kokainë mes bananeve, pronarët e "Alba Exotic Fruit" nën akuzë për trafik droge
Vëllezerit Barjon Gumeni e Eduart Dauti, pronarë të "Alba Exotic Fruit" janë vënë zyrtarisht nën akuzë për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike, pasi në një kontejner me banane që ata prisnin nga Ekuadori u kapën 11.6 kilogram kokainë. Edhe pse ky është rasti i dytë kur në ngarkesat e kësaj kompania kapet kokainë, dy vellezërit mohojnë përfshirjen në trafikun e drogës.
Barjon Gumeni, menaxheri i kompanisë "Alba Exotic Fruit", i arrestuar pasi në një kontejner me banane nga Ekuadori u gjetën 11.6 kilogram kokainë ka mohuar përfshirjen në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Sipas burimeve gjatë marrjes në pyetje 34-vjeçari ka thënë se ai dhe kompania nuk kishin dijeni për ngarkesën e drogës.
Barjon Gumeni u vu në pranga në kushtet e flagrancës nga policia e Durrësit pasi u paraqit në port për të tërhequr kontejnerin, brenda të cilit më herët skaneri kishte provuar se ishte fshehur droga.
Por përfaqësuesi i kompanisë "Alba Exotic Fruit", është mbrojtur me argumentin se ata kanë porositur banane dhe ligjërisht ngakesa e tyre është brenda kontejnerit, dhe jo ajo e fshehur në strukturë, ku u gjet kokaina e ndarë në 14 pako.
Pas veprimeve të para, Policia e Durrësit ka shpallur në kërkim edhe administratori i firmës, "Alba Exotic Fruit" Eduart Dauti 50 vjeç, banues në Tiranë.
Ky i fundit, i kontaktuar para se ti pritej urdhër arresti, tha se prej ditësh ndodhet në Francë, ndërsa jo vetëm mohoi përfshirjen e kompanisë së tij në trafikun e kokainës, por akuzoi se kishtë rënë viktimë e trafikantëve.
“Trafikantët shqiptarë përdorin mallin tim për të transportuar drogën e tyre”, tha Dauti që paralajmëroi se do të kthehet për të sqaruar situatën.
Kjo është hera e dytë kur në kontejnerët me banane të porositur nga kompania "Alba Exotic Fruit" zbulohet kokainë.
Rasti i parë u shënua në vitin 2019, kohë kur në një ngarkesë u nisën 137 kilogram lëndë narkotike.
Porti i Durrësit, mbetet porta kryesore e hyrjes së lëndëve të forta narkotike në vendin tonë që kryesisht vijnë me kontejnerë nga vendet e Amerikës Latine.
Vetëm në harkun e 4 muajve janë sekuestruar janë sekuestruar rreth 1 tonë kokainë.
Sasia rekord e sekuestruar mbetet ajo prej 613 kilogramësh në vitin 2018, sërish në një ngarkesë me banane, për të cilën është dënuar me 14 vite burg Arbër Çekaj.
