Përfundon stërvitja Defender Europe 21, ambasada e SHBA: Do të vazhdojmë të stërvitemi së bashku
Ka përfunduar stërvitja e forcave të NATO-s në kuadër të Defender Europe 21 e cila u zhvilluar në vendin tonë.
Lajmin e ka bërë me dije ambasada e SHBA-ve në vendin tonë përmes një postimi në mediat sociale.
Ambasada shkruan se ne këtë operacion morën pjesë më shumë se 26,000 forca shumëkombëshe nga 27 vende të botës.
Po ashtu shtohet se edhe pse Defender Europe 21 ka mbaruar, do të vazhdojnë stërvitjet e përbashkëta ushtarake.
''Gjatë muajve maj dhe qershor, Shqipëria mikpriti aspekte të rëndësishme të #DefenderEurope21, stërvitja vjetore shumëkombëshe e përbashkët e në shkallë të gjerë, e krijuar për të forcuar gatishmërinë dhe ndërveprimin midis ushtrive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe vendeve partnere. Më shumë se 26,000 forca shumëkombëshe nga 27 vende zhvilluan pothuajse në të njëjtën kohë operacione në më shumë se 30 zona trajnimi e në më shumë se një dyzinë vendesh nga Balltiku në Ballkan dhe Rajonin e Detit të Zi. Shihni disa momente kulmore nga stërvitja! Edhe pse Defender Europe 21 ka mbaruar, ne vazhdojmë të stërvitemi së bashku, të punojmë së bashku dhe të qëndrojmë #KrahPerKrah, gjithmonë.''
