SPAK heton edhe 30 qershorin, ish-kryebashkiaku i Pogradecit nën akuzë për pengim të zgjedhjeve
SPAK ka hapur çështjen e parë të hetimit për pengim të zgjedhjeve të 30 qershorit ndërsa nën akuzë është ish-kryebashkiaku i Pogradecit, Eduart Kapri. Ky i fundit, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë, mes debateve të politikës dhe dekretit të Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve vendosi që të bllokonte disa qendra votimi, teksa fjalën e fundit për vlefshmërinë e procesit të mbajtur dy vite më parë do ta thotë Gjykata Kushtetuese që ka kërkuar ndër të tjera edhe opinionin e Venecias.
Ish-kryetari i bashkisë së Pogradecit është emri i parë që hetohet për pengimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2019, të cilat në atë kohë u bojkotuan nga opozita.
Lajmi është bërë i ditur nga SPAK që tashmë ka kërkuar nisjen e procedimit në Gjykatën e Posaçme të shkallës së parë për korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Hetimi ndaj tij ka nisur pas arrestimit në datën 28 qershor të shtetasve Gurali dhe Safet Blaceri, të cilët kanë vënë dryna me çelës në rrethin e jashtëm në tre shkolla dhe një kopsht, të cilat ishin miratuar si qendra votimi nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për zgjedhjet vendore të datës 30.06.2019.
“Nga hetimi ka rezultuar e provuar se nga ana e shtetasit Eduart Kapri, me cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Pogradec, në bashkëpunim me shtetasit Safet Blaceri dhe Gurali Blaceri, me detyrë mirëmbajtës në Qendrën Arsimore, Pogradec, janë bërë tentativa për të penguar procesin zgjedhor”, thuhet në deklaratë.
Në fakt pas deklaratës së PD dhe LSI se nuk do të merrnin pjesë në votime, presidenti Ilir Meta vendosi në 8 qershor të shtyjë datën e votimeve.
Ndërsa thuajse në të gjitha bashkitë demokratët u organizuan për të mos lejuar votimet, por po ashtu dhe duke bllokuar shpesh edhe dorëzimin e institucioneve pas fitores së socialistëve
E vetmja që mbeti në detyrë nga demokratët, Voltana Ademi, ankimoi në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjet, duke kërkuar pavlefshmëri, pasi dekreti i Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve në 18 tetor ishte në fuqi dhe i publikuar në Fletoren Zyrtare.
Vetëm në qershor të vitit 2021 7 anëtarët e Kushtetueses morën në shqyrtim dosjen. Por për këtë kërkuan një interpretim të Komisionit të Venecias.
30 qershori nuk është paraqitur për herë të parë në trupën e Bashkimit Evropian.
Kanë qenë socialistët që ndërmorën hapin për shkarkimin e Presidentit me argumentin që kishte shkelur rëndë Kushtetutën. Por argumenti u rrëzua në interpretim, duke pezulluar dhe Komisionin Hetimor për shkarkimin e Kreut të Shtetit.
Po ashtu dhe ish-kreu i Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila, u shkarkua nga detyra me akuzën e djegies së materialeve zgjedhore.
Por për shkak të procedurave të ndjekura nga Këshilli i Ministrave ky vendim u rrëzua nga Kushtetuesja.
