Trafikonte eksploziv e armatime, 28-vjeçari kapet në Durrës me C4, granata dore e fishekë
Një i ri nga Shkodra u arrestua nga policia në Durrës në tentativë për të trafikuar eksploziv plastik, granata dore e fishekë, që dyshohet se do të shiteshin për tu përdorur në ngjarje kriminale. Rasti ngre edhe një herë alarmin se tregu i zi i armëve e municioneve është në lulëzim.
Një 28-vjeçar nga Shkodra u kap në Durrës duke trafikuar eksploziv plastik dhe municion luftarak.
Samed Lisaj, po udhëtonte si pasagjer në një taksi, kur blutë i bënë pritë në lagjen 17 të qytetit bregdetar.
Në çantë i gjetën 2 granata dore, 4 kapsolla detonatore, 491 gramë lëndë eksplozive e dyshuar si C4 dhe 490 fishekë luftarak.
I riu u vu në pranga në kushtet e flagrancës me akuzën e "prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak”.
Dyshimet janë Samed Lisaj do ti shiste armatimet në tregun e zi të armatimeve në qytetin bregdetar.
Grupi hetimor për momentin tregohet i rezervuar me detaje, pasi hetimi vijon për të zbuluar blerësit e mundshëm.
Njëherësh, blutë thonë se po gjurmojnë edhe për persona të tjerë të përfshirë në tregun e zi të armëve e municioneve në Shqipëri.
Më 1 dhe 3 qershor në në dy operacione të ndryshme u arrestuan 6 persona për prodhimin e minave me telekomandë që shiteshin deri në 3000 euro për copë.
Gjatë aksioneve u sekuestruan eksploziv plastic C4, tritol dhe municione luftarake.
Rastet konfirmojnë lulëzimin e tregut të zi të armëvë, ndërsa vendi është përfshirë nga ngjarje të rënda kriminale që kanë prodhuar viktima e të plagosur.
Rasti më i fundit i sulmeve me eksploziv u shënua në Fushë Krujë, ku drejtori i Sigurimeve Shoqërore mori një mesazh kriminal me një pako bombë në derë të shtëpisë.
