Korçë/ Po transportonin 3 emigrantë në këmbim të 900 eurove, arrestohet 37-vjeçari, shpallet në kërkim bashkëpunëtorja

Një person është arrestuar në Korçë  dhe është shpallur në kërkim bashkëpunëtorja e dyshuar e tij, pasi janë kapur duke transportuar emigrantë të paligjshëm.

Policia bën me dije se në pranga ka rënë Ervis Shingjerrgji 37 vjeç, banues në Elbasan, dhe është shpallur në kërkim Klementina Beçoku 5 vjeçe, banuese në Korçë.

Mësohet të dy kundrejt shpërblimit 300 euro për secilin, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, 3 shtetasve që u gjetën në makinë.

“Shërbimet e Policisë kanë konstatuar në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, shtetasin E. Sh., i cili ishte duke lëvizur me mjetin tip "Lancia" dhe i kanë bërë me shenjë që të ndalonte. Drejtuesi i mjetit, nuk iu është bindur urdhrit të tyre për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi, por pas ndjekjes është kapur dhe neutralizuar. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u konstatuan 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve 37-vjeçari në bashkëpunim me shtetasen K. B., dyshohet se kundrejt shpërblimit 300 euro për secilin, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së."- njofton policia. 

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme.