Shkrihet Kadastra e Durrësit, dokumentet shkojnë në Tiranë

Durrësi nuk do të ketë më një zyrë kadastrale brenda qytetit, pasi ajo do të zhvendoset në afërsi të Tiranës.

Burimet kanë bërë të ditur se shkaku kryesor për transferimin janë bërë problematikat e trashëguara 30 vjeçare në çështjet e pronësisë, veçanërisht në zonat bregdetare, problematika të cilat janë rënduar edhe për shkak të ndërhyrjeve në dokumentacionet e tyre.

Pas analizës së bërë mësohet se është vendosur reforma në organizimin e këtij institucioni, duke e transferuar drejt kryeqytetit për të shmangur këtë situatë.

Për shkak të rëndësisë së informacionit, transferimi i arkivave me dosjet, regjistrat hipotekore e çdo gjë tjetër, është bërë i mundur vetëm me praninë dhe shoqërimin e Policisë se Shtetit.

Kujtojmë këtu se edhe Prokuroria, megjithëse kohë pas kohe ka hapur  çështje fillimisht të bujshme me çështjet e pronave në bregdetin e Durrësit, më pas ato janë shfryrë dhe mbyllur pa zhurmë.

Burimet bëjnë me dije se shërbimet do të vazhdojnë në Durrës për sqarime dhe informacion qytetareve.

Transferimi nga Durrësi në Tiranë është bërë me qëllim shmangien e kontaktit fizik te punonjësve me qytetaret dhe për t’i orientuar më shumë drejt aplikimit online përmes portalit E-albania, shprehen burimet.

Në fakt, absurd duket fakti se prej vitesh e deri më tani zyrat e Kadastrës së këtij qyteti kanë qenë të vendosura brenda një qendre tregtare private, a thua se shteti nuk ishte ne gjendje ti jepte strehe një prej institucioneve themelore te tij.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës prej muajsh mësohet se po synon të stabilizojë dhe vere nen kontroll zonat më problematike.

Kujtojmë këtu se Vlora gjithashtu deri para rreth një viti ka hasur një sërë problematikash ku në 10 muaj u ndërruan 6 drejtorë kadastre, disa prej të cilëve jepnin dorëheqjen vetëm pas disa ditësh ose javësh punë.

Por duket se dhe atje me ne fund është gjetur qetësia, pasi prej thuajse një viti kur u emërua drejtori aktual nuk ka pasur më ndryshime.

Mbetet te shohim nëse edhe Durrësi do te qetësohet, tani që patatja e nxehtë e pronave u largua nga furra ku vlonte pa rezultat prej 30 vjetësh.