Epopeja me tenderat për uniformat e policisë, nisi me 1.2 miliardë lekë dhe përfundoi me 2.8

Tenderat e policisë rezultojnë ndër procedurat më problematike të qeverisë Rama që prej kohës kur mori pushtetin e deri më tani.

Përplasjet për blerjen e uniformave të policisë kanë nisur që në korrik të vitit 2014 kur u shpall edhe fituesi i parë.

Referuar dokumenteve zyrtare në garën e hapur nga Ministria me fond limit 5.7 milionë lekë morën pjesë 4 kompani, 3 prej të cilave u skualifikuan.

Kështu në garë mbeti vetëm bashkimi i operatorëve “Euro 2001” Sh.p.k dhe “Gjergjefi” Sh.p.k, i cili kishte ofertuar edhe vlerën më të lartë prej 49.2 milionë lekësh.

Ministria e Brendshme nisi një tjetër tender në dhjetor të 2015-ës me vlerë 115.8 milionë lekë.
Fituesi u shpall kompania “Marsi-Al”, por ministri Saimir Tahiri, e anuloi kontratën 3 muaj më vonë.

Në shkurt të vitit 2017, Ministria e Brendshme hapi një tender me vlerë 1.2 miliardë lekë por edhe këtë herë pa rezultat.

Procedura e nisur nga paraardhësi i tij, Saimir Tahiri u anulua në tetor të atij viti nga ministri i asaj kohe, Fatmir Xhafaj me argumentin se asnjë nga ofertat nuk përputhet me kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit.

Sërish një vit më pas, në gusht të vitit 2018 ministria e drejtuar nga Xhafaj hap një tjetër tender për uniformat me një fond prej 908.9 milionë lekësh.

Por edhe ky pati të njëjtin fat si procedurat e mëparshme, u anulua, ndërsa nga ana e ministrisë nuk pati asnjë sqarim për shkaqet e mbylljes së tij.

Anulimi vit-pas viti i kësaj procedure solli tenderin e fundit, për të cilin sot janë pas hekurave 9 zyrtarë.

Vlera e tenderit ishte 3 herë më e madhe se ajo e vendosur nga Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafaj.

2.8 miliardë lekë do të shpenzoheshin për 4 vite për uniforma verore dhe dimërore.

Ky tender iu dha kompanisë D&E shpk në bashkëpunim me tre subjekte të tjera të huaja.

Edhe pse tenderi u shënua me flamur të kuq nga Open Data, si një procedurë që krijon rrekim për shkak të klientelizmit dhe se ka skualifikim të operatorëve konkurrues, përveç fituesit, zyrtarët shtetërorë e finalizuan procedure në gusht të vitit 2020.