Përgjaken rrugët e vendit, aksident me vdekje në Cërrik, të plagosur në Laç e Levan

Aksidentet vijojnë të përgjakin rrugët e vendit.

Një I ri humbi jetën në Cërrik, ndërsa të paktën katër të tjerë mbetën të plagosur në aksidente rrugore këtë të dielë.

I frikshëm ishte një aksident në Laç, ku një makinë u ca përgjysmë pasi u përplas me barrierën anësore.

Një 32-vjeçar mbeti viktimë e një aksidenti rrugor në orët e para të mëngjesit në Cërrik!

Raman Hoxha, po udhëtonte në aksin Gostimë- Mollas, ku humbi kontrollin e mjetit që përfundoi jashtë rruge.

I riu ndërroi jetë për pasojë të plagëve, ndërsa një 29 vjecar që udhëtonte si pasagjer mbeti I plagosur rëndë!

Ky ishte aksidenti i dytë më pasojë vdekjen në rrugët e qarkut Elbasan në harkun e 24 orëve!

Të shtunën, Ledian Lami humbi jetën pasi minibusi me të cilin udhëtonte nga Gramshi drejt fshatti Bregas doli nga rruga e përfundoi në një humnerë.

Për pasojë 10 persona  të tjerë mbetën të plagosur, disa nga të cilët në gjendje të rëndë, ndaj edhe u trajtuan në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Mes tyre ishte edhe drejtuesi i mjetit 47 vjecari Arjol Xhepexhiu, i cili përfundoi në pranga në Spital për aksidentin.

Këto pamje ndërkohë tregojnë një aksident të frikshëm në aksin Thumanë Lezhë.

Për pasojë të shpejtësisë, kjo makinë doli nga rruga dhe u nda në mes nga barriera anësore.

Shoferi 23-vjeçar mbeti i plagosur rëndë dhe është sjellë në Spitalin e Traumës për mjekim të Specializuar.

Më herët, kjo makinë me të cilën një familje ma katër anëtarë po kthehej për pushime nga emigrimi, doli nga rruga në aksin Levan-Tepelenë.

Për pasojë mbeti I plagosur një 46-vjeçar por pa rrezik për jetën

Gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë ndodhur 675 aksidente që kanë shkaktuar 104 viktima.

Sipas të dhënave zyrtare nga Policia Rrugore, 765 persona kanë mbetur të plagosur, 100 prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Shkaqet kryesore të aksidenteve fatale rezultojnë të jenë shpejtësia tej normave të lejuara dhe parakalimet e gabuara.