PD: Kriza e plehrave në Kavajë, lojë me shëndetin e qytetarëve për inceneratorët, SPAK të veprojë
Partia Demokratike ka denoncuar atë që e quan si një krizë mjedisore situatën e plehrave në Kavajë.
Ka qenë ish-futbollisti Andi Lila ai i cili përmes një daljeje, është shprehur se situata e mbetjeve në Kavajë është kthyer në një bombë mjedisore që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve.
Ai tha se për të çuar para te mafia e inceneratorëve, plehrat po lihen me qëllim jashtë kontrollit, për të nxitur një krizë dhe pastaj për të ofruar një zgjedhje nga ata që e prodhuan këtë krizë.
Lila: Situata e mbetjeve në Kavajë është kthyer në një bombë mjedisore që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve. Pamjet që shohim, që shoqërojnë përditshmërinë e qytetarëve dhe turistëve, nuk janë vetëm produkt i paaftësisë së pushteti vendor dhe i qeverisë. Fatkeqësisht, ajo që qytetarët e Kavajës dhe Durrësit po përjetojnë është një skemë kriminale që po ndërtohet duke dëmtuar shëndetin e qytetarëve me qëllim pasurimin e klientëve të Edi Ramës.
Për të çuar para te mafia e inceneratorëve, plehrat po lihen me qëllim jashtë kontrollit, për të nxitur një krizë dhe pastaj për të ofruar një zgjedhje nga ata që e prodhuan këtë krizë. Pra duke kërcënuar shëndetin e qytetarëve, po i detyrojnë të pranojnë një zgjedhje shumë më të shtrenjtë për menaxhimin e plehrave. Kjo lojë me shëndetin e qytetarëve, vetëm për përfitimet e mafies së inceneratorëve, është e papranueshme dhe kriminale. Ne i kërkojmë SPAK-ut të veprojë urgjentisht, përpara se pasojat për ambientin dhe shëndetin e njerëzve të jenë të parikuperushme.
