Moti ekstrem vret 5 mln persona çdo vit, "The Lancet": I ftohti ose i nxehti i lartë shkakton 74 vdekje për 100 mijë banorë
Mbi 5 milionë njerëz humbasin jetën çdo vit nëpër botë nga moti ekstrem, dhe ndryshimet e fundit klimatike pritet t'i rritin viktimat.
Një studim i publikuar në revistën shkencore "The Lancet" nga shkencëtarë kinezë, australianë, britanikë dhe moldavë analizoi statistikat e vdekjeve dhe temperaturat në 570 vende, në 43 shtete përgjatë viteve 2000-2019.
Shkencëtarët zbuluan se 9,43 për qind e vdekjeve në botë kishin për shkak temperaturat ekstremisht të larta ose të ulëta.
Shumica e vdekjeve nga temperaturat jonormale u regjistruan në Azi, por edhe në Europë, kryesisht prej ekspozimit ndaj të nxehtit.
Shtete të ndryshme po thyejnë këtë vit rekordet historike dhe qershori rezultoi muaji më i nxehtë si për Finlandën në Europë, edhe për SHBA-në e Kanadanë në Amerikën Veriore.
Vala e të nxehtit ka kaluar prej Paqësorit dhe javën e kaluar shkaktoi gati 200 viktima në shtetet e Oregonit dhe Uashingtonit, dhe rreth 500 vdekje dyshohet të kenë pasur shkak vapën në provincën kanadeze të Kolumbisë Britanike.
I nxehti në shtetin e Kalifornisë u shoqërua dhe me shfaqjen e një të ashtuquajturi "tornado zjarri", një fenomen i rrallë i provuar nga thatësira ekstreme dhe bashkimi i ajrit të nxehtë me zjarret që po rrezikojnë territorin amerikan.
Autoritetet thonë se më shumë se 31 milionë veta në perëndim dhe jugperëndim të SHBA-së do përballin këtë fundjavë temperaturat e larta, dhe sipas Qendrës për Parandalimin e Sëmundjeve, më në rrezik për shëndetin janë personat mbi 65 vjeç, foshnjat, personat që punojnë jashtë dhe ata me sëmundje kronike.

